Në një kohë kur shumë të rinj kërkojnë rrugë të lehta drejt suksesit, Klevis Myrta nga Gjinari i Elbasanit ka zgjedhur një rrugë të vështirë, por të jashtëzakonshme: atë të artit. Ai i është përkushtuar skulpturës, jo vetëm si formë e shprehjes artistike, por si një mision për të ruajtur kujtesën dhe identitetin kombëtar.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka ndarë historinë e Klevisit si një shembull frymëzues për të gjithë komunitetin. “Elbasani ka shumë të rinj me pasion, me ide, me vlera – si Klevisi – që zgjedhin të qëndrojnë të lidhur me rrënjët e tyre dhe të japin kontribut për të ardhmen përmes trashëgimisë kulturore”, u shpreh ai.
Klevisi ka krijuar me duart e tij vepra që përcjellin historinë, figurat kombëtare dhe ndjeshmërinë e një populli që ka shumë për të treguar. Skulpturat e tij janë të mbushura me detaje dhe emocion, duke sjellë në jetë imazhe që frymëzojnë dhe edukojnë brezat e rinj.
Përmes mbështetjes së Bashkisë së Elbasanit për artistët e rinj dhe iniciativave kulturore në zonat malore, siç është edhe “Paketa e Maleve”, po krijohen gjithnjë e më shumë mundësi për të promovuar talente si Klevisi, duke kthyer artin në pjesë të zhvillimit lokal.
Arti nuk është thjesht një pasion personal – është një mënyrë për të komunikuar me të shkuarën dhe për të ndërtuar një të ardhme më të vetëdijshme. Klevis Myrta na tregon se gjithçka është e mundur kur pasioni takohet me përkushtimin dhe mbështetjen e duhur.