Spitali Bashkiak i Librazhdit organizoi këtë javë një ceremoni të veçantë në nder të një prej figurave më të respektuara të mjekësisë vendase ,Dr. Sami Kulla, mjek okulist dhe ish drejtues i këtij spitali ku ai për më shumë se 50 vite i ka shërbyer me përkushtim të jashtëzakonshëm komunitetit të Librazhdit.
Në prani të drejtorit të spitalit, stafit mjekësor dhe disa prej kolegëve të tij të dikurshëm, Dr. Kullës iu dorëzua një Çertifikatë Mirënjohjeje si vlerësim për kontributin e çmuar në shëndetësinë publike dhe për rolin e tij të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin profesional të brezave të rinj.Dr. Sami Kulla lindi në prill të vitit 1945 në Zemblak të Korçës dhe përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 1968. Menjëherë pas diplomimit, ai nisi punën në zonën e Lunikut dhe të Prrenjasit në Rrethin e Librazhdit duke u bërë shumë shpejt një emër i njohur për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij.
Gjatë viteve 1973–1974, ai kreu specializimin në fushën e oftalmologjisë dhe fitoi titullin Mjek Okulist, profesion që e ushtronte me përpikëri, përkujdesje dhe përkushtim. Me mijëra vizita, qindra ndërhyrje të suksesshme dhe dhjetëra pacientë të shëruar çdo vit ishin dëshmia më e mirë e aftësive dhe përkushtimit të tij.Nga janari i vitit 1976 deri në korrik të vitit 1990, Dr. Sami Kulla drejtoi Spitalin e Librazhdit, duke lënë gjurmë të forta në drejtimin dhe modernizimin e institucionit. Pas kësaj periudhe, ai vijoi të punojë si mjek okulist deri në vitin 2017, kur doli në pension.
Gjatë fjalës së tij, drejtori i Spitalit Bashkiak të Librazhdit z.Ermir Sulollari vlerësoi figurën e Dr. Sami Kullës si një model frymëzimi për çdo profesionist të shëndetësisë:“Dr. Kulla nuk është vetëm një emër i njohur në mjekësi, por një simbol i përkushtimit dhe humanizmit. Brezat e rinj kanë çfarë të mësojnë nga rruga e tij e ndershme dhe fisnike.”Nga ana e tij, Dr. Sami Kulla, i emocionuar, falënderoi kolegët dhe komunitetin për mbështetjen ndër vite, duke u shprehur se ky është një vlerësim që më prek thellë. Gjatë gjithë jetës time kam bërë thjesht atë që ndjeja si detyrim moral dhe njerëzor ,t’i qëndroj pranë çdo njeriu në nevojë, me përulësi dhe përkushtim.”
Rasti i Dr. Sami Kullës është një kujtesë e fuqishme për rolin që luajnë mjekët në jetën e përditshme të njerëzve. Në një kohë ku vlerat njerëzore shpesh duken të humbura në sfidat e përditshme, figura të tilla shërbejnë si busull për shoqërinë dhe sidomos për të rinjtë që zgjedhin të ndjekin rrugën e shërbimit mjekësor.