Ky është një studim i publikuar në revistën “Nature Communications”, i realizuar nga studiues të “Duke University School of Medicine” në SHBA.
Teknika konsiston në marrjen e mostrave të qelizave nervore dhe imunitare nga pjesa e sipërme e hundës, përmes një tamponi të vogël dhe delikat.
Pas aplikimit të një spray anestezik, mjeku përdor një furçë shumë të hollë për të mbledhur qeliza nga zona ku ndodhen receptorët e nuhatjes.
Analiza e këtyre qelizave lejon identifikimin e aktivitetit të gjeneve, duke dhënë sinjale të hershme për ndryshimet që ndodhin në tru.
Në studim u analizuan mostrat e 22 pjesëmarrësve, duke matur aktivitetin e mijëra gjeneve në qindra mijëra qeliza individuale. Rezultatet treguan se kjo metodë mund të dallojë personat me Alzheimer në fazat fillestare, madje edhe ata që ende nuk shfaqin simptoma klinike, por kanë ndryshime të zbulueshme në nivel laboratorik.
Studiuesit zhvilluan gjithashtu një sistem vlerësimi që ndihmon në identifikimin e saktë të individëve të prekur.
Sipas ekspertëve, ky test mund të jetë më i avancuar se analizat e gjakut, pasi ofron një pasqyrë më të drejtpërdrejtë dhe më të hershme të proceseve që lidhen me sëmundjen.
Aktualisht, kërkimet po zgjerohen në grupe më të mëdha pacientësh, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia që tamponi nazal të përdoret për të monitoruar efektivitetin e trajtimeve në kohë.
Universiteti ”Duke” ka depozituar tashmë një patentë për këtë metodë inovative./ /Ad.Ab./ a.jor.


























