ATSH-AA/ – Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) e SHBA-së ka bërë të ditur se korriku i vitit 2021 ishte muaji më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, teksa vazhdojnë të rriten shqetësimet mbi efektet shkatërruese të ndryshimit të klimës.

“Korriku është zakonisht muaji më i ngrohtë në botë i vitit, por korriku i vitit 2021 e tejkaloi veten si korriku dhe muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Ky rekord i ri shton shqetësimet për ndryshimin e klimës”, tha ajo.

Temperaturat e kombinuara të sipërfaqes dhe ujit ishin për 0,93 gradë Celcius mbi mesataret e shekullit XX për korrikun, dhe ishte më e nxehta e matur që kur filluan regjistrimet 142 vjet më parë.

Temperatura ishte gjithashtu për 0,01 gradë Celcius më e nxehtë se rekordi i mëparshëm i vendosur në korrik 2016.

OKB paralajmëroi të hënën se Toka po kalon një ndryshim të pakthyeshëm dhe të paparë nga ngrohja globale, me efekte që prekin çdo cep të planetit.

Raporti parashikon që në dekadat e ardhshme, ndryshimet klimatike do të rriten në të gjitha rajonet.

Për 1,5 gradë Celcius të ngrohjes globale, do të ketë rritje të valëve të nxehtësisë, stinë më të gjata të ngrohta dhe stinë të shkurtra të ftohta, si dhe ndryshime në modelet e reshjeve që ndikojnë në përmbytje dhe thatësira.

“Kambanat e alarmit janë shurdhuese dhe provat janë të pakundërshtueshme, pasi  emetimet e gazrave serrë nga djegia e lëndëve djegëse fosile, si dhe shpyllëzimi, po mbytin planetin tonë dhe po vënë miliarda njerëz në rrezik të menjëhershëm”, tha OKB./ a.jor.