- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mbledhjen e mbajtur sot me grupin parlamentar të PS dhe kabinetin qeveritar, u është drejtuar atyre duke u thënë se këto dy vite janë shumë të rëndësishme dhe të vështira pasi do duhet të bëhet gati ‘terreni’ për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Ai tha se ky është një proces i veçantë dhe që kërkon angazhim dhe qartësi për punën që do duhet bërë për të arritur këtë objektiv.
“Puna që kemi para këtë vit është e një natyre të veçantë për shkak të negociatave me BE dhe për shkak të domosdoshmërisë që në një hark kohor të shkurtër, Shqipëria të përmbushë të gjitha kushtet për të mbyllur negociatat e anëtarësimit.
Akoma sot edhe brenda grupit tonë parlamentar, dhe lere më pastaj brenda partisë e në opinionin publik, nuk ka një kuptim të qartë për çfarë do thotë në pikëpamje të sfidës dhe barrës së detyrimeve përmbushja e kushteve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave dhe përmbushja pastaj e kushteve për të përballuar përfshirjen në një realitet të ri, një treg prej 450 milionë njerëzish, ku Shqipëria e integruar do të jetë një pikë uji në oqean. Sfida për sektorin prodhues dhe institucionet do të jetë e shumëfishtë.
Jemi duke negociuar periudhat e ndërmjetme pas anëtarësimit që t’i japim mundësi vendit që të jetë gati të përmbushë kriteret. Kjo është diçka që është pjesë e mekanizmit të anëtarësimit, që e kanë bërë dhe vende përpara nesh”, tha Rama.
Një nga pikat që duhet shumë kujdes dhe punë, është ajo e sigurisë ushqimore, që sipas Ramës ka ende shumë punë për t’u bërë.
“Jemi larg në raport me kriteret e sigurisë ushqimore sipas BE. Kjo do të thotë që në momentin e anëtarësimit e më pas kur përfundon periudha e ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk do mund të shitet jashtë vendit, por që do të thotë që edhe në Shqipëri mund të bllokohen nëse nuk përmbushin kriteret.
Në skenarin më pesimist, do të thotë që gjithçka që hahet të importohet. Për këtë arsye duhet një super punë dhe një super vendosmëri nga ana jonë si vendimmarrës për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që të vazhdojë të punojë. Do vendosen të gjithë në pozita të forta përgjegjshmëria dhe pune, se në rastin më të mirë janë vetëm 10 vjet përpara. Nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë”, tha Rama.
Top Channel


























