Në kuadër të muajit të librit, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Jorgji Dilo” zhvilluan një vizitë të veçantë në Bibliotekën Publike “Qemal Baholli” në Elbasan — një nga institucionet më të vjetra dhe më të pasura të kulturës në qytet.

Gjatë kësaj vizite, fëmijët patën mundësinë të njihen nga afër me historinë e bibliotekës, e cila hapi dyert për herë të parë në vitin 1935 dhe që prej asaj kohe ka ruajtur dhe pasuruar një trashëgimi të çmuar letrare e kulturore. Sot, kjo bibliotekë numëron mbi 200,000 vëllime librash dhe periodikësh, duke qenë një pasuri e vërtetë për qytetin dhe një pikë referimi për dashamirësit e leximit.

Nxënësit u pritën me ngrohtësi nga stafi i bibliotekës, i cili i njohu me mënyrën se si funksionon shërbimi për lexuesit, me fondin e librave për fëmijë dhe me hapësirat moderne që nxisin dashurinë për leximin.

Ky aktivitet kishte për qëllim nxitjen e kulturës së leximit që në moshë të vogël dhe ndërgjegjësimin e brezit të ri për rëndësinë që libri ka në formimin e personalitetit dhe në zgjerimin e dijes.

“Libri është udhërrëfyesi më i mirë në rrugën e dijes” — një mesazh që fëmijët e “Jorgji Dilos” e morën me vete, duke u bërë ambasadorë të leximit në shkollën dhe komunitetin e tyre.

EDLIRA XHERRI