TIRANË, 29 maj/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu sot mirënjohjen ndaj efektivëve të Misionit të KFOR në Kosovë për mbështetjen që u dhanë efektivëve të Forcave të Armatosura në aksionin e shpëtimit të jetës së dy punonjësve të policisë, që u aksidentuan në zonën malore të fshatit Shosh, në Dukagjin.
“Për shkak të terrenit mjaft të vështirë që pamundësonte tërheqjen e sigurt të të plagosurve, në ndihmë të helikopterit të FA EC-135 (ZA-XHB), misioni i NATO-s dërgoi helikopterin Black Hawk”, informoi ministri përmes rrjeteve sociale.
Ndërsa ndau foto nga ky operacion shpëtimi, ministri Peleshi i uroi shërim të shpejtë dy punonjësve të policisë.
Policia e Shtetit përmes njoftimit për shtyp dje ka informuar se, falë ndihmës së KFOR-it u mundësua transportimi me helikopter, drejt Spitalit Ushtarak Tiranë, i oficerit të Policisë, i cili, si pasojë e terrenit shumë të vështirë me një shkallë të lartë rrezikshmërie, në një zonë malore të fshatit Shosh, Dukagjin u rrëzua dhe ra në humnerë.
Oficeri i Policisë u rrëzua gjatë kontrollit në terren së bashku me grupin e kontrollit, në kuadër të planit të masave për kontrollin e territorit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
“Oficeri i Policisë iu nënshtrua menjëherë një trajtimi të specializuar mjekësor. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga ekipi i Spitalit Ushtarak Tiranë, ofrimin e të gjitha shërbimeve të specializuara, dhe në rast nevoje transportimin e oficerit të Policisë për kurim, jashtë shtetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
/m.m//a.a/


























