Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Elbasan se “pengmarrësit e koalicionit të opozitës duan të marrin votën për të qeverisur sepse secili kërkon copën e vet”.

“Të gjithë këta pjesë e këtij koalicioni janë pengmarrësit e çdo mundësie për të zhvilluar një qeverisje normale, sepse do të kërkojnë copën, karrigen në qeveri. Agron Duka ka firmosur për të qenë Ministër i Bujqësisë, që të kthehet përsëri në krye të një sektori pas 20 vitesh që tanimë ka filluar të dalë nga kriza shumëvjeçare e po hyn në një tjetër hapësirë, po ngjitet në një tjetër nivel. Mediu kërkon të rikthehet në qeveri, ‘o karrigen, o s’ka. Dash Shehi, Shpëtim Idrizi me Vangjel Dulen, të dy bashkë duan të kthehen në qeveri dhe Nard Ndoka, që i takon më shumë se na bën të qeshim. Pa llogaritur të tjerët dhe duke pasur gjithmonë parasysh se do të jetë qeveria e Monikës dhe Ilir Metës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo fushatë elektorale nuk do ketë tiparin me turma të mëdha, entuziazëm, këngë dhe festë, por do të na japë mundësinë të komunikojmë më shumë për temat, çështjet, elementët e planeve në çdo sektor dhe të përballim planin tonë të veprimit, i cili është një plan qeverisje dhe jo një program me menunë e dëshirave që u vë para shqiptarëve KÇK-në, një koalicion Kap ça të Kapësh”.