Uekstradua nga Spanja Leonard Luzi alias Leonard Sejno, i cili kishte organizuar dhe porositur Amarildo Nikollin për të vrarë shtetasit Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.
Vrasja nuk u krye pasi ekzekutori u arrestua në flagrance nga policia para se të kryente vrasjen.
Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua Leonard Luzi alias Leonard Sejno, 47 vjeç, i lindur në Vlorë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.
Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi Amarildo Nikolli u arrestua para se të kryente vrasjet.
Nikollit në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.
Top Channel