Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti u takuan sot me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Pas takimit në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se gjatë takimit Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe se falënderoi dy udhëheqësit për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe pritjen e afganëve që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të Talebanëve.

“Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, shkruan zëdhënësi Price. Në hapje të takimit me zonjën Osmani dhe zotin Kurti, Sekretari Blinken foli për partneritetin e fortë SHBA-Kosovë dhe rëndësinë e kësaj miqësie.

“Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se, siç e dini të gjithë, mes nesh ka një histori të gjatë dhe të fortë, veçanërisht me Presidentin Biden, i cili ju dërgon përshëndetjet e tij të ngrohta”, tha zoti Blinken.

Pas takimit, në një prononcim për Zërin e Amerikës, Presidentja Vjosa Osmani tha se e informoi Sekretarin Blinken rreth reformave të ndërmarra në Kosovë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, për të cilat siç u shpreh ajo “duhet përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës nesër do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, një projekt në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, që ka për qëllim forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe fuqizimin e përfshirjes së grave në këtë fushë./VOA

 

Top Channel