ATSH/ Në ceremoninë shtetërore për shënimin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pavarësia e Kosovës është projekt nacional dhe realitet që mban vulën e angazhimit kombëtar.
“Ushtria jonë që sot do të parakalojë para jush është e përgatitur dhe profesionale në mbrojtën e sovranitetit dhe territorit të Kosovës. 14 vjet nuk janë pak për ta kujtuar rrugën e vështirë për ta bërë shtetin. Këta djem dhe vajza që parakalojnë janë personifikimi më i mirë i shtetit të Kosovës, ata janë garancia për çdo cep të territorit të Kosovës”, ka thënë ajo.
Ajo ka kujtuar sakrificën e brezave të shumtë për liri.
Osmani ka kujtuar sakrificën sublime të dëshmorëve të UÇK-së në krye me komandantin Adem Jashari.
Gjithashtu, Osmani ka përmendur ish-presidentin Ibrahim Rugova për të cilin ka thënë se ka bërë punë ikonike për liri, pavarësi e demokraci.
Në ditën e shtetësisë së Kosovës, ajo ka përmendur civilet e vrarë, gratë e dhunuara gjatë luftës dhe dëmet e tjera të kryera nga regjimi serb gjatë luftës ne Kosovë.
“Drejtësia akoma nuk është vendosur e për drejtësi thërrasim çdo ditë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka falënderuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/KosovaPress/



























