Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se nga e mërkura do të hyjë në fuqi një rritje e ndjeshme e taksave doganore për importet e çelikut dhe aluminit, nga 25% në 50%.

Lajmin e bëri të ditur gjatë një tubimi në Pittsburgh, Pennsylvania, një qytet i njohur për industrinë e çelikut.

Sipas Trump, masa ka për qëllim forcimin e industrisë së brendshme të çelikut, sigurimin e zinxhirit kombëtar të furnizimit dhe zvogëlimin e varësisë nga importet, veçanërisht nga Kina

Ai gjithashtu njoftoi një investim prej 14 miliardë dollarësh në industrinë e çelikut në rajon, përmes një partneriteti midis “US Steel” dhe gjigantit japonez “Nippon Steel”. Megjithatë, më vonë u shpreh për gazetarët se marrëveshja ende nuk është finalizuar apo miratuar nga ai personalisht.

“Do të ketë zero largime nga puna dhe zero zhvendosje të prodhimit jashtë vendit. Çdo punëtor amerikan i çelikut do të përfitojë një shpërblim prej 5,000 dollarësh”, tha Trump mes duartrokitjeve të shumta nga turma e mbushur me punëtorë të industrisë së rëndë.

Një ndër shqetësimet kryesore të punëtorëve për marrëveshjen SHBA-Japoni kishte të bënte me respektimin e kontratave të sindikatave amerikane, përfshirë rregullat mbi pagat dhe punësimet.

Trump kujtoi se gjatë mandatit të parë në vitin 2018, kishte “shpëtuar” US Steel – kompania më e madhe amerikane e çelikut, përmes taksës 25%, ndërsa tani e quajti rritjen në 50% si një hap të domosdoshëm për mbijetesën e saj.

“Me 50%, nuk do të munden më të kapërcejnë gardhin,” u shpreh ai. “Po e kthejmë çelikun e Pensilvanisë në shtyllën kurrizore të Amerikës – më fuqishëm se kurrë më parë.”

Industria amerikane e çelikut ka qenë në rënie vitet e fundit, ndërsa Kina, India dhe Japonia kanë marrë kryesimin si prodhuesit më të mëdhenj në botë. Rreth një e katërta e çelikut që përdoret në SHBA është i importuar, gjë që ka zemëruar presidentin Trump – veçanërisht për varësinë nga çeliku kanadez dhe meksikan.

Njoftimi i fundit vjen mes një beteje ligjore për ligjshmërinë e disa prej taksave të vendosura nga Trump ndaj tregtisë globale. Megjithatë, taksat për çelikun dhe aluminin nuk janë përfshirë në këtë padi.

Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se tarifat e Trump kanë shkaktuar trazira në tregtinë globale dhe tensione me partnerë të ngushtë ndërkombëtarë. Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë veçanërisht të tensionuara për shkak të kësaj politike tarifore.

Vetë Trump, pa dhënë detaje, akuzoi së fundmi Kinën se ka shkelur një marrëveshje armëpushimi të arritur në fillim të muajit në Gjenevë. Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, sqaroi më pas se Kina nuk ka hequr pengesat jotarifore siç ishte rënë dakord.

Në përgjigje, Kina akuzoi SHBA-në për masa diskriminuese, duke i bërë thirrje Uashingtonit të ndalojë “kufizimet e padrejta”.

Në fund të fjalimit, Trump përforcoi mesazhin e tij me një retorikë patriotike: “Nëse nuk ke çelik, nuk ke vend. Dhe pa çelik, s’mund të bësh as ushtri. Çfarë do të bëjmë, t’i kërkojmë Kinës çelik për tanket tona?”

Top Channel