Kryeministri Edi Rama u ndal te propozimi për rritjen e pagës minimale, ku theksoi se “ne e çuam 300 mijë lekë, por e dimë që nuk mjafton ndaj do ta rrisim çdo vit duke synuar 400 mijë lekë në fund të mandatit të tretë”.
“Na dëgjuan ne dhe e kishin 360 mijë e bënë 300 euro që të luajnë me kursin e këmbimit deri në 25. E bënë edhe 400 euro, sepse ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për atë që thonë. Dhëndri i tyre është po ai që kur kandidonte për kryetar bashkie do ul çmimin e bukës. Nuk kanë mësuar asgjë. Nuk kanë reflektuar asnjë gjë se nuk do përsërisnin po ato që kanë thënë e rithënë. Nuk i kanë dhënë vetes kohë të mësojnë e studiojnë se kanë qenë rrugëve duke u sjellë në mënyrë destruktive, duke djegur mandate e kërcënuar me destabilizim e hedhje në erë të qendrave të votimit e duan sot të marrin votën për të qeverisur”, tha Rama.
Kryeministri theksoi po ashtu se do të vijojë rritja e pagave të mjekëve e mësuesve. “Pagat e mjekëve, pagat e infermierëve, pagat e mësuesve janë rritur si asnjëherë më parë. Pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten përsëri 40%”, tha Rama.
Ashtu sikurse,a i theksoi se “do të rriten edhe pagat e punonjësve të administratës që nuk janë rritur sepse në mandatin e parë ishim të detyruar të bënim çmosin dhe e bëmë për të dalë matanë malit me borxhe që na kishin vënë në mes të rrugës, ndërkohë që nën këmbët tona ishte një gropë e madhe”.
Rama tha se mandati që po mbyllim është një mandat i thyer në mes nga dy goditje të tmerrshme, tërmeti dhe pandemia dhe ja kemi dalë përsëri.
“Shikoni në Itali rradhët që po bëhen në Milano, në pikat ku jepen ushqime falas për njerëzit. Nuk është një situatë rozë askund, as në vendet më të pasura por sidoqoftë deri tani ja kemi dalë dhe po ja dalim. Dhe do t’ja dalim deri në fund pa folur për infrastrukturën, transformimin rrënjësor ku kanë hyrë gjithë qendrat tona urbane dhe pët ta shtrirë edhe në zonat rurale”, tha Rama.

























