Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një takim të hapur me banorët e zonës malore të Gjinarit, ku prezantoi zyrtarisht “Paketën e Maleve”, një nismë strategjike që synon zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale përmes mbështetjes së investimeve në bujqësi, turizëm malor dhe agropërpunim.

Në fjalën e tij para banorëve, Llatja theksoi rëndësinë që ka kjo paketë për transformimin e zonave malore si Gjinar, Funar, Byshek e Tregan në qendra aktive të ekonomisë së gjelbër dhe të turizmit natyror.

“Përmes kësaj pakete, ofrojmë 10 vite pa taksa për çdo investim në këto zona dhe një procedurë të thjeshtuar për të gjithë ata që duan të krijojnë një sipërmarrje në tokën e të parëve. Është koha që mali të mos shihet më si një vend bosh, por si një pasuri reale për zhvillim,” – u shpreh Llatja.

 

“Paketa e Maleve” parashikon:

Përjashtim nga taksat vendore për një dekadë për investimet në fshat;

Procedura të thjeshtuara për hapjen e bizneseve në agroturizëm dhe agropërpunim;

Mbështetje për nisma inovatore që lidhen me turizmin natyror dhe gastronominë tradicionale;

Hartimin e një harte të re turistike për Bashkinë Elbasan, me fokus në potencialet natyrore dhe kulturore të zonave malore.

Gjinari dhe zona përreth njihen për bukuritë e tyre natyrore, klimën e pastër dhe traditat mikpritëse – elemente që e bëjnë këtë rajon ideal për zhvillimin e turizmit alternativ dhe të qëndrueshëm. Përmes kësaj nisme, Bashkia Elbasan synon të sjellë jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe të ndalë braktisjen e zonave rurale.

Aplikimet janë tashmë të hapura në faqen zyrtare www.paketaemaleve.gov.al, ku individë apo biznese të interesuara mund të dorëzojnë projektet e tyre dhe të bëhen pjesë e këtij transformimi që po merr formë në zemër të Shqipërisë së Mesme.

Gjinari, fshati turistik i përcaktuar ndryshe edhe si perla e Elbasanit mirëpret në vit 30 mijë vizitorë ndërsa janë të shumtë ata që e zgjedhin për të kaluar fundjavën.

Vit pas viti në këtë zonë janë ngritur bujtina, hotele dhe restorante, të cilat vitet e fundit kanë bërë që shumë shqiptarë dhe të huaj të vizitojnë për një ditë apo për disa ditë këtë zonë malore në qarkun Elbasan.

 

Një nga monumentet e natyrës në këtë zonë është dhe Pisha e Fushkuqes, që është shpallur Monument i Natyrës në vitin 2002, dhe nuk është veçse një peizazh çlodhës por edhe kurativ , bëhet fjalë për një sipërfaqe rreth 2 ha, me drurë të rinj dhe të vjetër.

 

Veç natyrës, zona e Shpatit është e pasur edhe me objekte të trashëgimisë kulturore, veçmas objekte të kultit të cilat janë ideale për zhvillimin e turizmit fetar.

 

Kisha e Shën Kollit në Shelcan është e ndërtuar në periudhën e Mesjetës dhe në të gjenden afreske të Onufrit, datojnë në vitin 1554. Disa prej afreskeve i kanë shpëtuar dëmtime dhe aty gjendet figura e Krishtit, e rrethuar nga apostuj.

 

Kisha e Shën e Premtes në Valësh është një tjetër destinacion. Edhe kjo kishë daton në të njëjtën periudhë dhe afresket janë të realizuara nga Onufri. Pikturat murale në këtë kishë kanë vlera të mëdha dhe ato shoqërohen me shkrime bizantine të asaj kohe.

 

Në këtë zonë ndodhet edhe varri i Kostandin Shpatarakut (Ogës), piktor ikonash në mbi gjashtë kisha të Shqipërisë së Mesme, nga viti 1736 deri në vitin 1767.

Edlira Xherri