ATSH/ Rreth 5005 procedura angiografi dhe angioplastikë, pjesë e paketës së Kardiologjisë janë kryer në janar-tetor gjatë 2021.

Shifrat janë bërë të ditura nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), ndërsa ky i fundit ka apeluar për kujdes ndaj zemrës.

“5005 procedura Angiografi Koronare, Angioplastikë Koronare, Angiografi/Angioplastikë dhe Pacemaker Definitiv janë kryer gjatë 9 muajve të 2021 në spitalet publike dhe private”, thekson FSDKSH.

Sipas FSDKSH, konkretisht janë kryer 302 Pacemaker Definitiv, 2193 Angiografi/Angioplastikë, 2336 Angiografi, 174 angioplastikë.

Po ashtu, janë kryer 47 008 procedura që nga fillimi i këtij shërbimi në vitin 2014 me
100% financim nga FSDKSH.

Shërbimi i specializuar mjekësor, plotësimi i nevojave të çdo pacienti dhe financimi i paketave shëndetësore vazhdon pa ndërprerje me 100% financim nga FSDKSH.
Paketa e Kardiologjisë është vetëm një prej 12 paketave shëndetësore që qytetarët e përfitojnë falas afër vendbanimit.

/k.s/j.p/