Tapeti i kuq i Grammy Awards konfirmoi edhe një herë se moda në industrinë e muzikës mbetet më e guximshme dhe më eksperimentale se ajo e Hollivudit
Në Crypto.com Arena të Los Angeles, yjet u shfaqën me veshje dramatike, plot pupla, rrudha dhe silueta voluminoze.
Ndër pamjet më të spikatura ishte këngëtarja e Blackpink, Rosé, me një minifustan teatral të zi nga Giambattista Valli, si dhe Lady Gaga, e cila u shfaq si një “mjellmë e zezë” me një fustan të mbuluar me pupla nga marka franceze Matières Fécales.
Vëmendje të veçantë tërhoqën edhe fustanet me bishta të gjatë, ku rekordin e mbajti Doechii, me një krijim nga Roberto Cavalli me bisht mbi 4 metra.
Ndërkohë, disa artistë sollën interpretime origjinale të modës klasike të tapetit të kuq. Billie Eilish u shfaq me një kostum të dekonstruktuar nga Hodakova, ndërsa Bad Bunny surprizoi me një smoking me detaje korseje nga Schiaparelli, një risi për modën mashkullore.
Tapeti i kuq shërbeu edhe si skenë për emra të rinj, përfshirë Addison Rae me Alaïa, si dhe kastin e filmit “KPop Demon Hunters”, të veshur nga marka si Dior, Guvanch dhe Thom Browne.
Nuk munguan as momentet provokuese, me Heidi Klum në një fustan “naked” shumë të ngushtë dhe Chappell Roan, e cila hoqi mantelin për të zbuluar një fustan sensuale nga Mugler.
Përtej modës, disa artistë përcollën edhe mesazhe politike, duke mbajtur distinktiva me mbishkrime si “ICE Out” dhe “Be Good”, në shenjë proteste ndaj politikave të imigracionit në SHBA.
Grammy 2026 u shndërrua kështu jo vetëm në një festë muzike, por edhe në një pasarelë mode dhe mesazhesh sociale.

Top Channel


























