ATSH/ Ndihma shtetërore përfitues të së cilës janë individët dhe ndërmarrjet në vitin 2020 arriti në 248.5 milionë euro.
Sipas raportit të Drejtorisë së Politikave të Zhvillimit Ekonomik, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ndihma shtetërore u rrit me 4 herë krahasuar me 2019-ën.
“Shkalla e ndihmës shtetërore ndaj PBB-së u rrit nga 0.5 % në 2019, në 1.96 % në vitin 2020”, thuhet në raport.
Në kushtet kur e gjitha bota u prek nga pandemia e virusit Sars-Cov-2, qeveria shqiptare hartoi dy paketa financiare mbështetëse për individët dhe bizneset.
Përmes këtyre garancive u mbështetën 53 mijë të punësuar dhe 318 biznese.
“Deri në dhjetor 2020, në kuadër të garancisë sovrane të parë janë miratuar 492 marrëveshje të garancisë në shumën 5,9 miliardë lekë, të lidhura mes bankave të nivelit të dytë dhe tregtarëve dhe shoqërive tregtare në sektorët e tregtisë, industrisë përpunuese, prodhimit, shërbimeve, ndërtimit, minierave, turizmit, edukimit, medias, etj. Ndërsa në kuadër të garancisë sovrane të dytë janë miratuar 318 marrëveshje të garancisë në shumën 8,9 miliardë lekë, të lidhura mes bankave të nivelit të dytë dhe tregtarëve dhe shoqërive tregtare në sektorët e tregtisë, turizmit, prodhimit, ndërtimit, shërbimeve transportit, industrive përpunuese, etj.”, thuhet në raport.

























