Projekti parashikon një bashkëpunim midis klubeve dhe federatës për t’u dhënë mundësi trajnerëve dhe stafeve teknike të skuadrave të Kategorisë së Parë të analizojnë ndeshjet e kampionatit të tyre. Në veçanti, Federata do të sigurojë një platformë ku klubet do të mund të ngarkojnë videot e ndeshjeve të tyre dhe të bëjnë analizat.
Sistemi i shpërndarjes së videove të ndeshjeve përdoret nga kombëtaret më të mira evropiane dhe disa nga ligat më të rëndësishme në botë. Në veçanti, Departamenti i Analizave është kujdesur për shpërndarjen e xhirimeve të ndeshjeve për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”, për ndeshjet kualifikuese të Kombëtares U-21 dhe për ndeshje kualifikuese të Kombëtares së femrave.
Projekti për Kategorinë e Parë është i pari i një sërë nismash që duan të sjellin zhvillimin e mëtejshëm të analizave në futbollin shqiptar në të gjitha nivelet. Në veçanti, bashkëpunimi i klubeve në këtë projekt është i nevojshëm për të siguruar që ky projekt të mund të zhvillohet me hapa të mëtejshëm.