Biblioteka Publike e Elbasanit në bashkëpunim me Klubin e Leximit çelën dje nismën letrare “Pasditja e Autorëve Elbasanas”, një seri takimesh që synojnë të sjellin në vëmendje figurat dhe veprat më të spikatura të letërsisë vendase.

 

Takimi i parë u përkushtua ndaj autores së njohur elbasanase Flutura Açka, e cila prej më shumë se tre dekadash kontribuon në mënyrë të veçantë në letërsinë shqipe, si në poezi ashtu edhe në prozë. Vepra e Açkës u vlerësua nga pjesëmarrësit si thellësisht emocionale, antikonvencionale dhe shpesh profetike në mesazhin e saj.

 

Anëtarët e Klubit të Leximit ndanë përvojat e tyre personale me librat e autores, duke përshkruar ndjesitë që i kanë shoqëruar gjatë leximit. Ata nënvizuan aftësinë e Açkës për të përfshirë lexuesin në universin e saj të brendshëm, duke i bërë pjesë të dhimbjes dhe gëzimeve të saj.

 

Ndonëse e pamundur të ishte e pranishme fizikisht, autorja dërgoi një video-mesazh për të përshëndetur pjesëmarrësit dhe për të falënderuar organizatorët për këtë nismë domethënëse. Në mesazhin e saj, Açka theksoi rëndësinë e promovimit të autorëve elbasanas, të cilët, siç tha ajo, “janë pjesë e magmës përmbajtësore të letërsisë kombëtare shqiptare”.

 

Takimet e pasdites së leximit do të vijojnë me autorë të tjerë elbasanas në javët në vazhdim.

Edlira Xherri