Abuzimi me fëmijët përbën një problem alarmant dhe universal, ndaj është e nevojshme rritja e vëmendjes dhe mbrojtja efikase, pa harruar edhe masat parandaluese në nivel familje dhe më gjerë. Me qindra e mijëra të rinj, aktivistë, vajza e gra, artistë e psikologë marshuan në rrugët disa qyteteve të vendit me moton “për fëmijërinë e vjedhur”.
Ngjarja e ndodhur disa ditë më parë në periferi të Tiranës ka bërë bashkë njerëzit për të kërkuar më më shumë drejtësi nga institucionet shtetërore ndaj këtyre rasteve, ku viktimë ka rezultuar të jetë një fëmijë, 15-vjeçarja që u abuzua nga roja i shkollës. Edhe në Elbasan një marshim i tilli bëri bashkë gra e vajza me pankarta në duar, si : “Vendi i vuajtjes së gruas” si dhe thirrje të tilla si: “Flisni me fëmijët, “Mbajini afër fëmijët”, “Denonconi dhunën”, “Ti nuk je vetëm”, “Minifundet nuk përdhunuan”, “Jo më dhunë”, “Mos ki frikë, ngrije zërin”, “Pedofilët e kanë vendin në burg, jo në shkollë”, “Stop abuzimeve seksuale”, “Unë i përkas vetes sime”. Por si e shohin psikologët këtë çështje, a është familja ajo e cila ka përgjegjësinë kryesore. Elona Mustafaraj jep këto detaje për Revistën Ditore në Tv Skampa.
Motoja edhe në Elbasan ishte “Për Fëmijërinë e Vjedhur”, ndërsa gra dhe vajza mbanin në duar pankarta. Një zëri ato kërkuan të dënohen dhunuesit, madje shprehën dakordësinë e tyre që për raste të rënda të rikthehet dënimi me vdekje. “Të luftosh për gruan edhe vajzën dmth të luftosh për jetën. Uroj që në vazhdimësi të jetë një start i mirë për të gjitha kauzat e bukura në emër të jetës. Do t’ju lutesha shumë që të mos heshtni kurrë para asgjëje. Mbroni fëmijët, nxënësit, kolegët, fëmijët, por para se të gjithash mbroni veten tuaj!”, thotë Anisa Bahiti, organizatore nga Shoqëria Civile.
Agjencia Shetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve beson se duke nxitur përgjegjësinë e familjes dhe komunitetit për parandalimin, denoncimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, do të reduktohet rreziku që fëmijët të bëhen viktima apo te riviktimizohen në të ardhmen. Dhe me këtë synim kanë qënë të shumta ata vajza që i’u bashkuan marshimit në sheshin “Genshër” për t’i thënë stop gjithçkaje që e sheh femrën vetëm si objekt.
Ajo që bie në sy është se në marshimin kundër abuzimit dhe mbrojtjen e viktimave është prezenca e djemve, duke treguar se në këtë luftë duhet të jemi të gjithë të bashkuar dhe për t’i thënë stop abuzimit, dhunës e përdhunimit dhe të gjithë duhet ta denoncojmë këtë fenomen dhe jo të heshtin.