Institucionet shtetërore janë në kërkim të specialistëve të IT.
Në faqet zyrtare shihen me dhjetëra njoftime për vende të lira pune në sektorin e teknologjisë. Thirrja për ofertat e punës është e madhe por ka pak interes. Kjo jo se të rinjtë nuk e duan sektorin e IT, përkundrazi, në universitete është një ndër degët më të preferuara. Ajo çka ka çuar në tkurrjen e tregut është fakti që kompanitë private apo të huaja ofrojnë kushte më të mira se sa shteti.
“Kërkesa ka qenë shumë e madhe nga kompanitë vendase, që po zhvilloheshin si dhe nga kompanitë e huaja që po vijnë në Shqipëri. Aktualisht përveç kësaj ne kemi pasur dhe një largim të të rinjve që shkojnë në tregun europian sepse oferta është jashtëzakonisht tërheqëse. Kompanitë private nuk presin që të dali një thirrje punësimi por shkojnë direkt tek universitetet, tek vitet e para e të dyta e të treta që të angazhojnë studentët nëpërmjet praktikave, nëpërmjet pozicioneve, intershipeve të paguara dhe nëpërmjet punësimit të menjëhershëm”, tha sipërmarrësi Gerti Boshnjaku.
Qeveria ne reformën e fundit te pagave që bëri në administratën publike, vëmendje të veçantë i kushtoi pagave të specialistëve të IT që u rritën nga 30-40 mijë lek. Por sërish nuk arrijnë dot që të konkurrojnë pagat e sektorit privat në teknologji.
“Ka nivele të ndryshme ekspertize të cilat paguhen mirë po në qoftë se shteti mund të ketë paga diku tek 70-80 mijë lek po themi dhe më lart deri tek 120 apo 130 mijë, këto janë paga fillestare në sektorin privat sepse nevoja e madhe për këtë lloj ekspertize dhe për këto lloj aftësish ka bërë që të rrisin nivelet që ti mbajnë këta njerëz sa më pranë vetes sepse kanë alternativa të shumta”, tha Boshnjaku.
Nevoja e tregut sidomos për ekspert në fushën e sigurisë kibernetike është e domosdoshme, në kushtet kur sulmet nga hakerat janë shtuar edhe ndaj platformave shtetërore
Top Channel