ATSH/ Mbi 11 500 studentë do të përfitojnë nga skema e re e mbështetjes financiare, e cila parashikon rritjen e bursave dhe zgjerimin e kategorive përfituese edhe në ciklin e studimeve Master.

Në një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentëve, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se përmes buxhetit të vitit 2027 mbështetja financiare për studentët do të vijojë të rritet, me fokus të veçantë te të rinjtë nga familjet në nevojë, studentët ekselentë dhe ata që ndjekin programe studimi me përparësi kombëtare.

Kumbaro tha se për herë të parë, mbështetja financiare për studentët nga familjet në nevojë dhe ata që ndjekin programe me përparësi kombëtare do të shtrihet edhe përgjatë studimeve Master.

Paketa e re parashikon që 5 900 studentë nga familjet në nevojë të përfitojnë 25 000 lekë në muaj, nga 10 000 lekë që përfitonin më parë.

Ndërkohë, 5 500 studentë me mesatare 9-10 do të vijojnë të përfitojnë mbështetje prej 10 000 lekësh në muaj edhe gjatë studimeve Master.

Gjithashtu, studentët që ndjekin programe studimi me përparësi kombëtare do të përfitojnë 50 000 lekë në muaj, me mbështetje të zgjeruar edhe në ciklin e dytë të studimeve.

Ministrja Kumbaro njoftoi gjithashtu hapjen e aplikimeve për mbështetje financiare për studentët e shkëlqyer, fituesit e olimpiadave ndërkombëtare të njohura sipas ligjit dhe studentët që ndjekin programe studimi me përparësi kombëtare.

Përmes një programi të Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL), studentët e këtyre kategorive mund të përfitojnë një mbështetje financiare të barabartë me pagën minimale, në masën 50 000 lekë në muaj.

Kumbaro tha se studentët përfitues, të regjistruar gjatë vitit akademik 2026-2027, mund të aplikojnë përmes portalit “e-Albania”.

Ministrja Kumbaro theksoi gjithashtu rëndësinë e investimit te të rinjtë, mbështetjes së aspiratave të tyre dhe krijimit të mundësive për të vijuar studimet, duke e cilësuar këtë si një investim për të ardhmen e vendit.

/k.s/r.e/