/ATSH/ – Këngëtarja spanjolle Rosalía ka hyrë në histori si artistja e parë që fiton tri herë çmimin për albumin më të mirë në ceremoninë “Latin Grammy Awards”, këtë herë për albumin e saj të katërt, “Lux”, raportoi BBC.

Artistja u vlerësua me gjithsej pesë çmime gjatë ceremonisë së zhvilluar në Las Vegas.

Mes tyre ishin edhe dy çmime për këngën “La Perla”, e cila u shpall kënga e vitit dhe kënga më e mirë Pop.

“La Perla” ishte gjithashtu e nominuar për regjistrimin më të mirë të vitit, por çmimi iu dha këngëtarit argjentinas, Milo J për këngën “Niño”.

Albumi “Lux”, i publikuar vitin e kaluar dhe i vlerësuar nga kritika, i siguroi Rosalías çmimin kryesor të mbrëmjes.

Duke marrë trofeun në Las Vegas, ajo u shpreh: “Për të gjithë ata që më thanë se nuk isha mjaftueshëm e mirë ose se muzika ime ishte tepër e çuditshme, jam mirënjohëse që nuk i dëgjova”.

Rosalía, e cila hapi ceremoninë me një performancë të disa prej këngëve të saj më të njohura, u vlerësua gjithashtu me çmimin për albumin më të mirë muzikor alternativ dhe për videoklipin më të mirë të shkurtër, për këngën “Sauvignon Blanc”.

Ajo ka fituar më herët, çmimin për albumin më të mirë me “El Mal Querer” në vitin 2019 dhe “Motomami” në vitin 2022.

Me triumfin e tretë, për “Lux”, ajo bëhet artistja e parë femër, që fiton tri herë këtë kategori në historinë e “Latin Grammy Awards”.

Mbrëmja ishte e rëndësishme edhe për legjendën portorikane të reggaeton-it, Daddy Yankee, i cili u shpall Personi i Vitit, në vlerësim të karrierës së tij muzikore prej tri dekadash.

Ai interpretoi disa nga hitet e tij më të njohura, përfshirë “Gasolina” dhe “Con Calma”, ndërsa në skenë u bashkuan me të edhe reperë të tjerë, mes tyre LL Cool J dhe French Montana.

Këngëtari indian Diljit Dosanjh, i cili ka bashkëpunuar me Daddy Yankee në këngën “Pokito”, ndërpreu përkohësisht turneun e tij “Aura India” për t’u bërë pjesë e performancës.

Ai u bë artisti i parë indian që interpreton në skenën e “Latin Grammy Awards”.

Çmimin për arritjen e jetës Daddy Yankee e mori nga këngëtarja Janet Jackson, e cila i tha në spanjisht se muzika e tij “ka frymëzuar një brez të tërë”.

Ndërkohë, çmimi për regjistrimin më të mirë të vitit iu dha këngëtarit argjentinas Milo J, i cili u duk i befasuar nga fitorja përballë konkurrentëve të fortë si Karol G, Jorge Drexler, Carin León dhe Rosalía.

20-vjeçari fitoi gjithsej katër çmime dhe gjatë fjalimit të tij përshëndeti muzikën folklorike argjentinase.

Ai e përshkroi këngën “Niño” si krijimin për të cilin ndihet më krenar nga të gjitha veprat e tij deri më tani.

“Rroftë muzika folklorike argjentinase”, u shpreh ai.

Në kategoritë e tjera, Aria Vega, këngëtarja kolumbiane, u shpall artistja e re më e mirë, ndërsa çmimi për kompozitorin e vitit iu dha Sara Schell. //a.i/