ATSH/ Studentët e shkëlqyer, fituesit e olimpiadave ndërkombëtare dhe studentët që ndjekin programe studimi me përparësi kombëtare mund të aplikojnë për të përfituar mbështetje financiare prej 50 mijë lekësh në muaj.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro njoftoi sot hapjen e aplikimeve për vitin akademik 2026-2027, përmes një programi të Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL).
Sipas njoftimit, të drejtën për të aplikuar e kanë studentët shtetas shqiptarë, të pranuar në institucionet publike të arsimit të lartë, për një program të parë studimi, që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Në kategorinë e studentëve të shkëlqyer përfshihen ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare 10.00 dhe janë vlerësuar me notë të shkallëzuar nga 9.5 deri në 10 në secilin prej provimeve kombëtare të detyruara të Maturës Shtetërore.
Në njoftim theksohet se “mbështetja financiare përfshin edhe fituesit e njërit prej tri çmimeve të para në olimpiadat ndërkombëtare të arsimit parauniversitar, me më shumë se 15 vende pjesëmarrëse, me kusht që të ndjekin programe studimi të lidhura me lëndën ose disiplinën ku kanë fituar çmimin”.
Aplikimet do të jenë të hapura nga data 16 nëntor 2026, deri më 16 janar 2027, përmes portalit qeveritar “e-Albania”, në shërbimin elektronik “Aplikim për Mbështetje Financiare”, ku kandidatët duhet të plotësojnë formularin përkatës.
Programi synon të mbështesë financiarisht studentët me rezultate të larta, talentet e spikatura dhe ata që zgjedhin të ndjekin degë me rëndësi për prioritetet kombëtare.
/e.i/r.e/



























