ATSH/ Ka përfunduar vizita e ditës së tretë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në shtëpinë e tij.
Pas disa orësh qëndrimi pranë familjes, Krasniqi është larguar nga shtëpia, nën përcjelljen e zyrtarëve të EULEX-it.
Në momentin e largimit, vëllai i tij është parë duke e përcjellë me emocione.
Ish-kryetari i Kuvendit, i cili është dënuar në shkallë të parë për krime lufte me 25 vjet burgim, arriti në Kosovë të mërkurën, me leje të posaçme të Gjykatës Speciale në Hagë për të vizituar bashkëshorten, gjendja shëndetësore e së cilës është përkeqësuar.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është jashtëzakonisht e dhimbshme situata e rëndë në familjen e ish-kryekuvendarit Krasniqi.
“Në këto momente të vështira natyrisht që të gjithë bashkëndiejmë me vuajtjen dhe dhimbjen, dhe urojmë që gjithçka të shkojë sa më mirë që është e mundur”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka theksuar se me shumë dhimbje dhe bashkëndjejnë po e përcjell ardhjen e Krasniqit në Kosovë.
“Zëri i UÇK-së gjatë luftës, kryetari i Kuvendit që drejtoi seancën historike të shpalljes së Pavarësisë dhe atë të miratimit të Kushtetutës, një nga figurat e rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës. Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
E ish-kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, ka dhënë kritika për procesin në Hagë. Ai ka thënë se Krasniqi nuk do të duhej të ishte atje.
“E ka bërë edhe moshën dhe ka ardhur për një gjendje familjare ku bashkëshortja e tij nuk është mirë me shëndet dhe jam i bindur që secili qytetar i Republikës së Kosovës e gjithsesi edhe unë, se e kam mik, kam bashkërrugëtuar me të, e njoh, dhe gjithmonë e kam vlerësuar. Nuk është që po ndihem lehtë dhe mirë. Domethënë ai është dashur me qenë në shtëpinë e vet, familjen e vet, afër bashkëshortes së vet, dhe jo në situata të cilat ndodhet”, ka thënë Hamza.
/Kosovapress/



























