Propozimi për të etiketuar “të gjelbër” gazin natyror dhe energjinë bërthamore, si një udhëzues për investitorët privatë, ndeshi në rezistencë gjatë rrugës. Por ligjvënësit e BE i dhanë përfundimisht dritën e gjelbër.
Parlamenti Evropian votoi të mërkurën (06.07) në favor të një propozimi në lidhje me etiketimin e gazit natyror dhe centraleve bërthamore si investime miqësore ndaj klimës. Propozimi, i quajtur zyrtarisht si “Taksonomia e BE-së”, u publikua në dhjetorin e kaluar nga Komisioni Evropian, si një listë e aktiviteteve ekonomike që investitorët mund të etiketojnë dhe tregtojnë nën siglën “e gjelbër”.
Mocioni për të bllokuar këtë propozim mori 278 vota pro, 328 kundër dhe 33 abstenime. Nëse 20 nga 27 shtetet anëtare të BE-së nuk do ta kundërshtojnë propozimin, ai do të miratohet si ligj.
Një plan i debatueshëm
Propozimi hasi fillimisht në rezistencë midis disa shteteve anëtare të BE -së, me një kamp të udhëhequr nga Franca duke mbështetur fuqimisht etiketën “e gjelbër” për gazin natyror dhe energjinë bërthamore. Ndërkohë, Gjermania, e cila ka ndërprerë projektin e saj për centralet bërthamore, e kundërshtoi planin.
Disa grupe ambientaliste dhe ligjvënës të BE -së kanë pasur kritika gjithashtu. Madje, Austria dhe Luksemburgu kanë kërcënuar të padisin BE nëse plani miratohet. Megjithatë, propozimi ka mbështetjen e shumicës së Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, grupi më i madh i ligjvënësve në Parlamentit Evropian.
Ku qëndron Gjermania në këtë situatë?
Fillimisht Gjermania e kundërshtoi propozimin e Komisionit Evropian për ta etiketuar energjinë bërthamore si “të gjelbër”. Gjatë së mërkurës (06.07) Steffen Hebestreit, zëdhënës i kancelarit gjerman Olaf Scholz, tha se Berlini “i qëndron këtij pozicionimi dhe e konsideron energjinë bërthamore si të paqndrueshme.”
“Sidoqoftë, qeveria gjermane beson se taksonomia është një instrument i rëndësishëm për arritjen e objektivave të mbrojtjes së klimës, sepse është e qartë se gazi natyror është një teknologji e rëndësishme drejt rrugës së neutralitetit ndaj karbonit” – shtoi Hebestreit./DW
Top Channel



























