Projektligji i propozuar nga deputeti socialist, njëherazi kryetar i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u prezantua nga ministrja e cila theksoi se miratimi këtij dokumenti ligjor është një drejtësi sociale për ish-ushtarakët. Xhaçka tha se janë 800 familje përfituese dhe 111 milionë lekë të reja të falura.

“Projektligji që miratojmë sot shënon mbylljen e një kalvari të stërzgjatur, të një prej atyre historive tipike të tranzicionit, ku shteti krijonte situata tmerrësisht të koklavitura, që më pas binin mbi kurrizin e njerëzve duke shkaktuar stres e lodhje e stërmundim për vite e vite me radhë. Më në fund, pas një kohe të gjatë mundimi, inciativash gjysmake e sorollatje rrugëve të gjykatave, mbi 800 familje ish ushtarakësh gjejnë drejtësinë e munguar”,- tha Xhaçka.

“Ka qenë një situatë vërtet absurde, ku në njërën anë për faj të shtetit, ish-ushtarakët kanë marrë pensione suplementare, e  në anën tjetër një vendim gjykate i detyronte këto pensione si një gabim, e i shpallte ish-ushtarakët në pension debitorë ndaj shtetit duke iu kërkuar të kthenin pagesat suplementare për vite e vite”,- shtoi ajo.

“Imagjinoni pra, një grup pensionistësh, dhe sidomos një grup si ish-ushtarakët, që kanë qenë në fakt ndër kategoritë që janë viktimizuar më shumë nga gjithë historia e tranzicionit, për të mos folur pastaj për përndjekjen e hostilitetin me të cilën janë trajtuar ata nga qeveria paraardhëse, papritur u shpallën debitorë ndaj shtetit e duhet të kthenin miliona lekë mbrapsht”,- tha ministrja.

“Me miratimin e këtij projektligji, qeveria shqiptare do të tërhiqet nga 874 procese gjyqësore të ndjekura pikërisht për shkak të një detyrimi absurd të imponuar nga gjykata e lartë vite më parë, e të mbështetur në një skemë sigurimi shoqëror suplementar të vitit 1996 të ndryshuar 7 herë deri në ditën që po flasim. Nëpërmjet këtij projektligji, 800 familjeve të ish- ushtarakësh u falen rreth 111 milionë lekë të reja si detyrime ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke vënë në vend dinjitetin e një kategorie shumë të nderuar të shoqërisë shqiptare, sic janë ushtarakët”,- bëri me dije ministrja Xhaçka.

“Ne kemi punuar shumë me shoqatat e ish-ushtarakëve për të gjetur një zgjidhje. Qeveria ka punuar shumë, Partia Socialiste në tërësi ka punuar shumë sepse ky ka qenë një premtim që u kemi bërë ish ushtarakëve. Por nuk ka qenë aspak e lehtë. Unë sot dua të falënderoj Kryetarin e Kuvendit, z. Ruci, i cili ishte nismëtari i këtij projektligji e që njëherësh ka qenë vazhdimisht një nga mbështetësit kryesorë të gjetjes së një zgjidhje për këtë problem. Mbështetja dhe angazhimi i tij personal sigurisht që ka qenë një ndihmë e madhe për të gjithë ne në adresimin e këtij problemi”,- shtoi ajo.

“Me dakordësinë edhe të Ministrisë së Financave, historia e detyrimeve të ish-ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, e famshmja çështje e borxhit të pensioneve të ish-  ushtarakëve, fatmirësisht merr sot një zgjidhje. Me këtë projektligj mbyllet njëherë e mirë kalvari që në fakt ishte i tepërt, për të gjithë ata burra e gra, që i kanë shërbyer këtij vendi, kanë sakrifikuar për sigurinë e tij, por që deri më sot nuk u trajtuan siç e meritonin. Unë jam krenare që arritëm t’i japim më në fund zgjidhje kësaj çështje, e cila nuk ishte thjesht financiare, por ishte po aq edhe një çështje dinjiteti njerëzor e respekti për këtë kategori. Dhe nëse hedh sytë prapa, besoj që ekziston sot një kontrast shumë i qartë në mënyrën sesi shteti shqiptar i trajton ushtarakët e ish ushtarakët sot, me mënyrën sesi janë trajtuar deri dje. Sepse duhet ta themi që ky nuk është vendimi i parë i kësaj natyre që merr kjo qeveri”,- u shpreh Xhaçka.

“Vetëm pak kohë më parë, ne miratuam sëbashku vendimin për rikthimin e trajtimit financiar për ushtarakët, duke rritur ndjeshëm të ardhurat për familjet e afro 5 mijë ushtarakëve aktivë e duke dërguar kështu edhe një mesazh solidariteti e respekti për burrat e gratë në uniformë. Ky ligj, që vjen si një akt drejtësie sociale, si përmbushje e një detyrimi të shtetit shqiptar ndaj ish ushtarakëve, por edhe si një përmbushje e një zotimi që të gjithë ne kemi marrë vite më parë ndaj kësaj kategorie”,- përfundoi fjalën e saj, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. /j.p/