Një memorandum i brendshëm i hartuar muajin e kaluar nga shefi i politikës së Pentagonit i jep Departamentit të Mbrojtjes mundësinë të devijojë armë dhe pajisje ushtarake të destinuara për Ukrainën, për t’i rikthyer në rezervat e ushtrisë amerikane.
Kjo është një lëvizje që përfaqëson një ndryshim të madh në politikat e ndihmës ushtarake dhe që mund të ndikojë në miliarda dollarë pajisje të planifikuara për Kievin.
Sipas CNN, kjo përfshin edhe armatime të blera me fondet e programit të posaçëm të Kongresit për Ukrainën, të njohur si Iniciativa për Ndihmën e Sigurisë në Ukrainë (USAI)
Ky zhvillim ndodh në një kohë të paqartësive të mëdha lidhur me dërgesat e ardhshme të armëve amerikane për Ukrainën, vetëm disa ditë përpara një takimi të mundshëm mes Presidentit Donald Trump dhe homologut rus Vladimir Putin.
Dilema në Pentagon: ndihma për Ukrainën apo mbrojtja e rezervave amerikane?
Ndërsa Trump ka miratuar një plan për shitjen e armëve amerikane përmes NATO-s, brenda Pentagonit ka shqetësime serioze për dhënien e armatimeve të vlefshme Ukrainës, në kurriz të kapaciteteve të mbrojtjes amerikane, veçanërisht për sisteme si raketat interceptuese, mbrojtja ajrore dhe municionet e artilerisë.
Muajin e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth pezulloi një paketë të madhe ndihme ushtarake për Ukrainën, duke vepruar në përputhje me memorandumin e përgatitur nga Elbridge Colby, një zyrtar i lartë në Pentagon dhe kritik i vazhdueshëm i armatosjes së Ukrainës.
Pas reagimeve publike, Trump ndërhyri personalisht dhe urdhëroi vazhdimin e dërgesave për armë mbrojtëse në Ukrainë. Po ashtu, ai njoftoi për një marrëveshje me NATO-n për furnizimin e Ukrainës me miliarda dollarë armë të prodhuara në SHBA, por të financuara nga aleatët evropianë.
Megjithatë, memoja e Colby-t mbetet në fuqi dhe përmban një dispozitë të pazbuluar më parë që lejon Pentagonin të devijojë armatime të prodhuara për Ukrainën, duke rrezikuar dërgimin e miliarda dollarëve në armatime që ishin planifikuar për vitet e ardhshme.
A do shkojë ndihma e re për Ukrainën?
Programi USAI, i krijuar në vitin 2016, ka qenë një burim i qëndrueshëm për furnizimin e Ukrainës me armë. Vetëm këtë vit, Senati ka miratuar edhe 800 milionë dollarë të rinj për programin, përmes ligjit të mbrojtjes (NDAA).
Megjithatë, burime të afërta me çështjen i thanë CNN se ende nuk është e qartë nëse këto armë do t’i dërgohen Ukrainës apo do të mbeten në SHBA, për shkak të politikës së re të Pentagonit.
Administratat e mëparshme kanë hezituar të devijojnë fondet e USAI-së, duke argumentuar se një veprim i tillë do të shkelte Ligjin për Kontrollin e Imponimeve, që i ndalon Presidentit ose Pentagonit të bllokojnë fonde të miratuara nga Kongresi.
Ndërkohë, në projekt-ligjin e ri për mbrojtjen për vitin 2026, Senati ka përfshirë një klauzolë që ndalon Pentagonin të rikthejë në rezervat amerikane armatime të destinuara për Ukrainën, përveç nëse ato nuk janë ende dërguar dhe nuk nevojiten për aktivitetet e trajnimit dhe pajisjes.
Kategoritë e armatimeve dhe “sinjalet e kuqe”
Memoja e Colby-t klasifikon armët sipas nevojës në tre kategori: “të kuqe”, “të verdha” dhe “të gjelbra”. Armatimet e kategorisë së kuqe, si raketat interceptuese të sistemit Patriot, janë në mungesë dhe kërkojnë miratim të posaçëm nga sekretari i mbrojtjes për çdo dërgesë.
Paketa që u pezullua muajin e kaluar përfshinte dhjetëra raketa të tilla, të cilat Trump më pas urdhëroi të vazhdonin të dërgoheshin. Por disa armatime të tjera në atë paketë, ende nuk dihet nëse janë dërguar.
Ndërkohë, Ukraina po përballet me sulme të përditshme nga Rusia, dhe nevojat për mbrojtje ajrore janë kritike. Vetëm në korrik, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia ka lëshuar mbi 6,400 raketa dhe dronë.
NATO, mekanizëm i ri për blerjen e armëve për Ukrainën
Pentagoni është gjithashtu në bisedime me NATO-n për krijimin e një mekanizmi të ri për blerjen e armëve nga vendet evropiane, që më pas t’i dërgohen Ukrainës. Ky mekanizëm do të funksionojë si një llogari bankare e NATO-s, ku vendet anëtare do të kontribuojnë fonde për të blerë armatime nga SHBA.
Presidenti Trump e përmendi këtë plan muajin e kaluar gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte: “Do t’i dërgojmë armë dhe ata do të paguajnë për to. Ne nuk po i blejmë, por do t’i prodhojmë.”
Sipas burimeve, NATO po synon që vlera fillestare e kësaj llogarie të arrijë në 10 miliardë dollarë. Deri tani, janë angazhuar mbi 1 miliard dollarë. Gjithashtu, vende si Gjermania kanë rënë dakord të furnizojnë Ukrainën me sisteme të tyre (si Patriot) dhe të blihen të reja nga SHBA për zëvendësim.
Europa pret mbështetje të plotë nga SHBA
Një burim tjetër që ka parë memorandumin theksoi se, ndonëse Evropa po mbështet fort mekanizmin e NATO-s, ata presin që SHBA të kompensojë dërgesat e tyre me furnizime të reja. Por për sa kohë që politika e Colby-t mbetet aktive, çdo dërgesë mund të varet nga një urdhër i drejtpërdrejtë presidencial.
Top Channel