ATSH/ Zv.kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj deklaroi sot platforma “Për bashkëqeverisjen” do t’i shërbejë çdo qytetari, si dhe do të japë ndikim pozitiv për uljen e korrupsionit në zyrat e shtetit.

“Ligji është një instrument për qytetarët, pronë e qytetarëve, iu jep mundësinë qytetarëve dhe sipërmarrjes të kenë një kontakt të drejtpërdrejtë, të verifikueshëm, transparent me administratën dhe qeverinë për të kërkuar të drejtën e shkelur, vonuar apo cilësinë e shërbimit”, tha Ahmetaj gjatë diskutimit të projektligjit në Kuvend.

Ahmetaj ftoi opozitën të votojë projektligjin, i cili e bën atë pjesë të bashkëqeverisjes.
“Duam të bashkëqeverisni me ne për të përmirësuar qeverisjen për shqiptarët. Ky ligj është një mundësi e artë. Hajde të bashkëqeverisim përmes këtij ligji. Bëjeni tuajën platformën për të na kërkuar llogari dhe për të na treguar ku dështuam. Platforma dhe ligji është e juaja dhe qytetarëve. Kjo nuk i lë vend populizmit se po mbroni qytetarët. Kjo ju jep mundësinë të bëheni qytetarëve të angazhuar në favor të qytetarëve të Republikës”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj u shpreh më tej se bashkëqeverisja jo në mënyrë tradicionale, por në mënyrë inovative ka qenë një ëndërr.

Ahmetaj mirëpriti dhe vendimin e opozitës për votimin e marrëveshjes së qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer. /j.p/