Sipas doktrinës së përditësuar të lëshuar të martën, Moska do të konsiderojë agresionin nga çdo shtet jo-bërthamor – por me pjesëmarrjen e një vendi bërthamor – si një sulm të përbashkët ndaj Moskës.
Kremlini filloi këtë raund të ri të retorikës bërthamore të martën, duke thënë se doktrina ushtarake e rishikuar teorikisht do të ulte pragun për përdorimin të armëve bërthamore.
Në një telefonatë me gazetarët të martën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, vuri në dukje se ndryshimet nënkuptojnë se “Federata Ruse rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast të agresionit duke përdorur armë konvencionale kundër saj dhe/ose Republikës së Bjellorusisë.”
Parandalimi bërthamor është një shtyllë e doktrinës ushtarake ruse, por ndryshimi duket se zgjeron përkufizimin e asaj që do të konsiderohej si agresion kundër Rusisë.
“Nje element i rëndësishëm i këtij dokumenti është që parandalimi bërthamor ka për qëllim të sigurojë që një kundërshtar i mundshëm të kuptojë pashmangshmërinë e kundërpërgjigjes në rast të agresionit ndaj Federatës Ruse ose aleatëve të saj,” tha Peskov.
Ky ndryshim vjen ndërsa Kremlini i përgjigjet vendimit të administratës së Biden-it për të lejuar Ukrainën të përdorë armë amerikane me rreze të gjatë brenda Rusisë, një lëvizje që qeveria ruse e ka sinjalizuar tashmë si një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës në Ukrainë.
Top Channel