ATSH-I.Vata/ Në kuadër të kurimit të së shkuarës së regjimit komunist në Shqipëri Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot aktorin dhe dramaturgun Kujtim Spahivogli i përndjekur nga diktatura.

Spahivogli u persekutua se vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami.

Kujtim Spahivogli lindi më 30 qershor të vitit 1932 në Lushnje. Studimet e larta për teatër i kreu në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët e shkëlqyer të ardhur nga Bashkimi Sovjetik dhe në vitin 1956 u emërua aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas luajti një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj.

Por më shumë u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj.

Kujtim Spahivogli ishte edhe krijues e drejtues i “Teatrit të të Rinjve” i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë, ishte edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”.

Në rolin e dramaturgut krijoi dramën e tij “Një shok i klasës sonë”, shfaqje e cila pati një sukses të madh. Po ashtu, vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami, dhe kur ky u godit rëndë nga plenumi i katërt i Partisë së Punës, bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtimi. Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë të tjera në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier.

Vdiq më 7 korrik të vitit 1987, në moshën pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar, edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar. Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”.

Historia e Kujtim Spahivogli, nga disa dokumente arkivore të dosjes së tij personale të zyrës së Kuadrit, ku krahas një autobiografie që Kujtimi ka shkruar vetë në vitin 1983, duke përshkruar në mënyrë kronologjike historinë e familjes dhe të tijën personale deri në atë kohë, ndodhen edhe disa karakteristika që janë përpiluar nga organizata bazë e partisë së Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1973, me akuzat që i’u bënë atij, të cilat shërbyen si “lëndë e parë” për ta dërguar për riedukim “në gjirin e klasës punëtore”.

/j.p/