TIRANË 13 gusht /ATSH-I.Vata/- Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” në kuadër të kurimit të së shkuarës përkujtojmë sot Fran Mirakën, pushkatuar nga regjimi komunist.
Fran Miraka lindi në fshatin Iballë të Pukës. Ndoqi shkollën e jezuitëve në Shkodër dhe punoi si bari e tregtar. Jeta e tij si dhe e shumë të tjerëve përmbante një fatalitet. Një i afërm jashtë shtetit do e kthente Franin në një vatër rreziku për Sigurimin e Shtetit, që do ta përndiqte atë dhe për shkak të besimit të tij katolik.
Gjatë formimit të tij ai mësoi si të mos ishte konformist, të mbrojë dinjitetin dhe besimin e tij. Rezistenca kundër drejtuesve komunistë do te ishte për të një rrugë pa kthim.
“Një herë kam lindur, një herë do vdes”- pohoi ai me bindje dhe besim të palëkundur ditën e pushkatimit, mëngjesin e tmerrshëm të 4 marsit 1946. Së bashku me klerikë e laikë të tjerë u pushkatua dhe u gropos në një varr masiv në moshën 30 vjeçare.
Më 5 nëntor 2016 u shpall i Lum bashkë me 37 martirë të tjerë.



























