ATSH/ Si sot më 30 shtator 1876 u lind në Korçë patrioti, firmëtari i Pavarësisë dhe këngëtari Spiridon Tasi Ilo.
Që në vogëli Spiridon Ilo pati emigruar në Rumani, si shumë bashkëkohës të tij. Në vjeshtën e vitit 1912 kthehet në Shqipëri si përfaqësues i shqiptarëve të Rumanisë në Kuvendin e Vlorës.
Sipas dëshmive të familjarëve, flamurin e Pavarësisë që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor e patën dërguar shqiptarët e Rumanisë dhe vetë Spiridon Ilo e solli në Shqipëri, kurse Marigo Pozio i shtoi thekët dhe kreu disa ndryshime mbi të.
Më 1913 u rikthye në Rumani dhe prej andej, më 1916, emigroi në SHBA, ku hapi një kafe të vogël. Duke ndjekur pasionin e tij, muzikën, më 1923 themeloi kompaninë Albanian Phonograph Records. Qëllimi i Ilos ishte të realizonte regjistrime dhe të hidhte në qarkullim pllaka gramafoni me muzikë shqiptare.
Një nga punët e para ishte regjistrimi i parë i Himnit të Flamurit, me tekstin e poetit Asdreni, kënduar nga tenori arbëresh Giuseppe Mauro dhe vetë S. Ilo.
Më 1926 u kthye përfundimisht në Korçë, ku dhe ndërroi jetë më 1950.Arkivi Qendror Shtetëror publikoi sot foto të patriotit, firmëtarit të Pavarësisë dhe këngëtarit Spiridon Tasi Ilo.



























