Gavril Dara lindi në Palac Adriano të Sicilisë, në një familje të shquar arbëreshe. Mësimet e para i mori në Seminarin arbëresh të Palermos. Vite më vonë mbrojti doktoraturën në drejtësi.
Më 1858 botoi fletoren letrare “Përtëritja e jetës” (Palingenesi) dhe vite më vonë (1871-1874) drejtoi gazetën “La Riforma”, e cila botohej në Romë.
Më 1864 shkroi një poemë prej 1300 vargjesh, e cila titullohej “Ana Maria“. Pasioni i tij ishte poezia dhe folklori. Ai ka lënë në dorëshkrim një ndër kryeveprat e letërsisë sonë “Kënga e sprasme e Balës”, e cila u botua në vitin 1906. Gavril Dara është marrë me gjuhësi, filozofi dhe arkeologji. Ai u nda nga jeta, në Girgeti, më 15 nëntor të vitit 1895. /j.p/



























