Një incident është raportuar të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kanalin Anglez, ku një varkë e vogël me emigrantë ka mbetur e bllokuar në brigjet e Kentit dhe dyshohet për viktima.

 

 

Skynews raporton se dy helikopterë kërkim-shpëtimi, varka shpëtimi dhe varka të tjera të marinës britanike dhe franceze janë aktualisht duke operuar për shpëtimin e personave që ndodhen në varkë

 

Dyshohet se rreth 30 persona ndodheshin në varkë, por ende nuk dihet identiteti apo gjendja e tyre.

 

 

“Rojet bregdetare aktualisht po koordinojnë operacionin pas incidentit të një varke të vogël jashtë Kentit, duke punuar me Marinën, Forcën Kufitare, Policinë e Kentit dhe partnerë të tjerë”- njoftoi një zëdhënës i Agjencisë Detare britanike.

 

“Ne kemi dërguar varkat e shpëtimit Dover, Dungeness, Hastings dhe Ramsgate RNLI dhe ekipet e shpëtimit të rojës bregdetare Deal, Dungeness dhe Folkestone, së bashku me komandantin e zonës së rojes bregdetare”- shtoi ai.

 

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe një zëdhënës i Mbretërisë së Bashkuar.“Ne jemi në dijeni të një incidenti në ujërat e MB dhe të gjitha agjencitë përkatëse po mbështesin një përgjigje të koordinuar. Detaje të mëtejshme do të jepen në kohën e duhur.”- tha ai sipas Skynews.

 

Incidenti vjen vetëm disa orë pasi kryeministri Rishi Sunak prezantoi planin me pesë pika për të trajtuar imigracionin e paligjshëm në Britaninë e Madhe.

 

Top Channel