ATSH/ Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali zhvilloi sot një takim me kryetaren e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa.

“Dhomat e Tregtisë janë një qendër referimi si për biznesin, ashtu edhe për qeverinë, e cila synon të adresojë cilësisht kërkesat dhe shërbimet ndaj biznesit”, tha ministrja Bilali.

Bilali vuri në dukje se gjatë takimi theksi u vu tek zhvillimi i konsultimeve publike për të dëgjuar mendime dhe sugjerime nga bizneset, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve në vend.

Nga ana e saj, Muçostepa theksoi se gjatë takimit u fol edhe lidhur me forcimin e rolit të Dhomave të Tregtisë për të ofruar shërbime të reja ndaj biznesit dhe adresimin cilësor të kërkesave të tyre për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. /j.p/