Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u përplas të enjten në mënyrë indirekte me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në takimin vjetor të OSBE-së për sigurinë, duke akuzuar Perëndimin se rrezikon përshkallëzimin e luftës në Ukrainë, por u largua përpara se zoti Blinken dhe ministrat e jashtëm të vendeve të tjera të mund të përgjigjeshin.
Duke folur në takimin ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Maltë, Lavrov akuzoi Perëndimin për ringjalljen e Luftës së Ftohtë dhe provokimin e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Ai tha se veprimet e Shteteve të Bashkuara u nxitën nga dëshira për të “rikthyer NATO-n në qendër të vëmendjes politike”. “Pas turpit në Afganistan, kishte nevojë për një armik të ri të përbashkët”, tha zoti Lavrov gjatë ndalesës së tij të parë në një vend të BE-së që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.
“Rezultati i kësaj është rimishërimi i Luftës së Ftohtë, por tani me rrezikun shumë më të madh të përshkallëzimit të saj në fazën e nxehtë.”
Sekretari Blinken, i cili foli pasi Lavrov u largua nga salla e takimit, u përgjigj duke fajësuar Rusinë për përshkallëzimin situatës në rajon, duke vënë në dukje se ministri i jashtëm rus, folësi i katërt në takim, nuk qëndroi për të dëgjuar fjalimet e homologëve të tjerë.
“Le të flasim për përshkallëzimin”, tha Sekretari Blinken, duke përmendur dislokimin e forcave të Koresë së Veriut në Evropë, përdorimin e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi për të sulmuar Ukrainën, vendimin e Rusisë për të ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore dhe sulmet e Moskës ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
“Zoti Lavrov foli për të drejtën sovrane të çdo shteti anëtar për të bërë zgjedhjet e veta”, tha Sekretari Blinken. “Kjo është pikërisht ajo për të cilën bëhet fjalë: të drejtën sovrane të Ukrainës dhe popullit ukrainas për të bërë zgjedhjet e tyre për të ardhmen, jo që ato zgjedhje të bëhen nga Moska”.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andrii Sybiha, i cili ishte i pari që mbajti fjalimin, doli nga salla ndërsa zoti Lavrov po përgatitej të merrte fjalën. Atij iu bashkuan edhe ministrat e jashtëm të Polonisë dhe Estonisë.
Para se të largohej nga salla, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e quajti homologun e tij rus Sergej Lavrov një “kriminel lufte”.tch



























