Ndryshimet klimatike janë faktori kryesor pse gjithnjë e më shumë në ujërat tona po shfaqen specie të veçanta, por edhe të rrezikshme.

Peshku gjyle, apo dhe lepuri ka rënë sërish në rrjetat e peshkatarëve të Radhimës.

Një rast i ngjashëm është regjistruar edhe rreth 7 vite më parë, kur disa peshkatarë amatorë kishin kapur këtë lloj peshku dhe kishin menduar ta konsumonin.

Fatmirësisht, pas këshillimit me specialistë, ata hoqën dorë nga gatimi i tij, duke shmangur pasoja të rënda për shëndetin.

Sipas ekspertëve, ky peshk përmban toksina shumë të rrezikshme, të cilat mund të jenë fatale në rast konsumimi.

Madje, në disa raste, rreziku ekziston edhe nga kontakti i drejtpërdrejtë, pasi toksinat mund të depërtojnë përmes lëkurës. Efektet mund të shfaqen brenda pak minutash dhe çojnë deri në pasoja ekstreme për jetën.

Megjithatë, ekspertët sqarojnë se ky peshk zakonisht jeton në ujëra të thella, duke e bërë më pak të rrezikshëm për pushuesit e zakonshëm. Rreziku mbetet kryesisht për peshkatarët, zhytësit dhe ata që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me botën nënujore.

Top Channel