Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas informacioneve se është pezulluar e drejta për të kërkuar azil në Britaninë e Madhe.
Sipas informacioneve, 11 shqiptarë, të cilët mbërritën me gomone javën e shkuar pasi u janë marrë shenjat e gishtave, janë dërguar menjëherë në aeroportin Stansted e janë deportuar drejt Tiranës.
Atyre nuk iu dha asnjë mundësi komunikimi me të afërmit apo avokat për të nisur procedurat e azilit. Ishte ish-ministrja e Brendshme Priti Patel ajo që njoftoi pak javë më parë dëbimin e përshpejtuar të shqiptarëve që mbërrinin me gomone.
Por Home Office pas një procesi gjyqësor të humbur deklaroi se hoqi dorë nga ky lloj dëbimi. Megjithatë të 11 të dëbuarit e javës së shkuar, shihen si një test në zbatimin e kësaj politike të re pasi sipas ligjeve angleze çdo person që mbërrin në Angli, ka të drejtën e azil kërkimit.
Por ministria i quan të pavërteta, duke theksuar se nuk ka asnjë plan, asnjë iniciativë, asnjë dokument të propozuar nga ndonjë vend anëtar i BE e asnjë diskutim lidhur me mundësinë e pezullimit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë.
Deklaratë për mediat e MEPJ:
Gjatë ditëve të fundit, në disa media por edhe përmes reagimeve publike të disa forcave politike, është përhapur lajmi për mundësinë e pezullimit të regjimit pa viza të shtetasve shqiptarë si pasojë e rritjes së numrit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë drejt Bashkimit Europian përmes të ashtuquajturës “rrugë ballkanike.”
Dëshirojmë të informojmë qytetarët që këto lajme janë krejtësisht të pavërteta. Nuk ka asnjë plan, asnjë iniciativë, asnjë dokument të propozuar nga ndonjë vend anëtar i BE e asnjë diskutim lidhur me mundësinë e pezullimit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë. Ky lajm duket të jetë thjesht e vetëm produkt i interesave të caktuara në një moment kur në Bruksel është duke u diskutuar për të gjetur sa me parë dhe pa vonesa të tjera të pajustifikuara mundësinë për t’i njohur të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës. Është për të ardhur keq, që një lajm i tillë i rremë, lehtësisht i verifikueshëm për mediat apo forcat politike, ka gjetur jehonë në sferën publike në Shqipëri.
Shqipëria është një partnere e besuar e BE dhe nëse ka shqetësime për rritjen e numrit të emigranteve të paligjshëm në të ashtuquajturën ´ rruga ballkanike ´, ato janë trajtuar e trajtohen me seriozitet dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë europianë. Vendi ynë ka qenë i pari në rajon, qe ka nënshkruar marrëveshjen me Frontex dhe ka një bashkëpunim shembullor me të gjitha agjencitë e BE dhe vendeve anëtare në përballimin e emigracionit të paligjshëm. Fakti që në datën 3-4 nëntor, në Tiranë, do të mbahet Ministeriali i Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE dhe Ballkanit Perëndimor është shprehje e këtij vlerësimi për punën tonë.Ne garantojmë qytetarët shqiptarë se ata nuk rrezikohen aspak dhe në asnjë moment nga e drejta për të lëvizur pa viza në hapësirën e BE.
Top Channel