Veshkat jo vetëm që largojnë mbetjet nga trupi, por ato gjithashtu balancojnë lëngjet e trupit, lëshojnë hormone që rregullojnë presionin e gjakut, kontrollojnë prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut etj.
Kjo është arsyeja pse kujdesi për trupin tuaj, përfshirë veshkat, është një domosdoshmëri për një shëndet optimal.
Kontrolli i ushqimeve dhe pijeve që fusni në trupin tuaj mund të ndikojë në shëndetin e veshkave në disa mënyra.
Disa ushqime dhe pije mund t’i dëmtojnë ato, ndërsa të tjera mund t’i ndihmojnë dhe të zvogëlojnë rrezikun e problemeve që lidhen me to.
Sipas një studimi të ri, të cilit AgroWeb.org i referohet, ekziston një pije mjaft e preferuar që mund të zvogëlojë rrezikun e dështimit akut të veshkave.
Dështimi apo dëmtimi akut është një episod i papritur që ndodh brenda disa orësh ose disa ditësh.
Shkaku lidhet me grumbullimin e mbeturinave në gjak dhe pamundësinë e veshkave për të ruajtur ekuilibrin e duhur të lëngjeve në trup.
Nëse nuk trajtohet, mund të preken edhe organe të tjera, si truri, zemra dhe mushkëritë tuaja.
Cila është pija më e mirë për veshkat?
Gjetjet nga studimi treguan se ata që pinin çdo ditë kafe, kishin një rrezik 15% më të ulët që dështimi i veshkave të ndodhte.
Në studim u vu re se një person që pinte 2-3 filxhanë kafeje në ditë, kishte një rrezik 22%-23% më të ulët.
Studiuesit morën gjithashtu parasysh karakteristikat demografike, statusin socio-ekonomik, ndikimet e stilit të jetesës dhe faktorët dietik.
Ekspertët besojnë se arsyeja mund të jenë komponimet biologjikisht aktive të kombinuara me kafeinën, por edhe vetë kafeina, që përmirësojnë perfuzionin dhe përdorimin e oksigjenit brenda veshkave.
Sipas tyre funksioni i mirë i veshkave varet nga një furnizim i qëndrueshëm me gjak dhe oksigjen.
Megjithëse rezultatet duken premtuese, studiuesit thonë se për të përcaktuar të gjitha përfitimet e kafesë për veshkat, veçanërisht në nivelin qelizor, duhet të bëhen më shumë kërkime./AgroWeb
Top Channel


























