TIRANË, 2 qershor /ATSH/- Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj tha sot se plani i rimëkëmbjes nënkupton injektimin e më shumë investimeve dhe më shumë parave në treg, masa mbështetëse biznes-shtet që synojnë reduktimin e papunësisë në mënyrë të strukturuar dhe me stimuj financiarë afatgjatë krahas rritjes së konsumit përmes investime.
Gjatë një interviste televizive, Denaj tha se, “këtë vit situata e COVID do të sjellë tkurrje të ekonomisë, ndonëse ne kishim parashikuar një rritje me 4% para shfaqjes së pandemisë e bazuar kjo në faktin e rritjes se konsumit dhe buxhetit 20 miliardë lekë të programit të Rindërtimit që do të injektojë përparim”.
Ajo tha se, paketat mbështetëse të qeverisë adresuan financim tek ata më në nevojë e reduktuan me 40% parashikimet për varfërinë.
“Në kushtet e situatës COVID, qeveria rishikoi shpenzimet në kontratat koncesionale që kanë një tavan 5% të PBB. Në këtë kontekst, shpenzimet buxhetore i kishim në nivelin 3% dhe në dy rishikimet buxhetore ne i ulëm ato në nivelin 1,5%”- tha ministrja Denaj, duke theksuar që nuk u ndryshun fondet për investime.
“Ne kishim 6 miliardë lekë investime të reja pas tërmetit dhe kur bëmë rishikimin e buxhetit rialokuam të gjitha investimet e reja që do të parandalonin situatat nga fatkeqësitë. Ministria e Infrastrukturës mori një pjesë të konsiderueshme të 6 miliardshit të përmirësimit të digave dhe pjesa tjetër shkoi te shëndetësia dhe bujqësia për parandalimin e përmbytjeve”- tha Denaj.
Këto, tha ajo, ishin investime të reja ndërsa të tjerat ishin kontraktuale që duke u investuar sjellin konsum. Denaj tha se, në planin e rimëkëmbjes synohen skema të punësimit për të papunët që kanë dalë nga situata COVID-19, përmes subvencionit.
Janë 26 miliardë lekë të reja në total garancitë sovrane për të stimuluar huamarrjen e biznesit”, tha ajo.
ATSH