ATSH/ Vizioni i qeverisë për ta bërë Shqipërinë të ardhmen e çdo shqiptari, mbështetet nga një Plan Veprimi 2021-2025, sektor për sektor.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka theksuar se “në programin tonë ekonomik për mandatin e tretë vijojmë të nxisim sipërmarrjet e të rinjve”.
“Fondi i mbështetjes për sipërmarrjet e reja start-up do të 5-fishohet”-deklaroi ministrja, duke theksuar se vizioni i Partisë Socialiste drejt dixhitalizimit të ekonomisë sot është më i prekshëm.
Përgjatë dy mandateve të para, tha Denaj, kemi mbështetur bizneset në fushën e teknologjisë së informacionit duke aplikuar lehtësi fiskale.
Sipas saj “sot kemi në diskutim një ligj të ri të start up-eve në fushën e inovacionit me objektiv të qartë nxitjen e ideve inovatore dhe zero taksa për dy vitet e para që do t;i japë impakt zhvillimit të sipërmarrjeve nga të rinjtë”.
Në mandatin e tretë do të krijohen programet “Inovacion dhe ekselencë në manifakturë” dhe “Inovacion dhe ekselencë në IT” për trajnime në inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim nëpërmjet mbulimit të kostove të trajnimit 100%.
Denaj ka theksuar se “kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si 2-fish i tatimit të zbritshëm ndaj shoqërive ku është i punësuar përfituesi”.

























