ATSH/ Në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, Policia e Kavajës ka vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Siç njoftoi Policia sot, “gjatë kontrolleve, në një hapësirë publike në plazhin e Golemit, u hoqën dhe u sekuestruan 100 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 3 shtetas”.
Në vijim të veprimeve, sipas Policisë, “u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. O., 37 vjeç, T. O., 72 vjeç dhe B. A., 41 vjeç, banues në Kavajë dhe në Golem”.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.
/m.q//a.f//r.e/