ATSH/ Në të gjithë vendin janë hapur sot 600 klasa në prag të nisjes së vitit të ri shkollor për të gjithë ata nxënës që nuk kanë ndjekur mësimin online me synimin që ata të plotësojnë njohuritë.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka publikuar një album me foto nga nisja e mësimit plotësues sot për nxënësit që nuk kanë patur akses siç duhet gjatë mësimit online gjatë periudhës mars-maj, 2020.

“Rreth 4,500 nxënës të klasave I-V në të gjithë vendin, të cilët nuk kanë patur aksesin e duhur gjatë periudhës së mësimit online në periudhën mars-maj, 2020, kanë nisur sot mësimet plotësuese për t’u pajisur me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme gjuhësore dhe matematikore”, thotë Shahini ndërsa nënvizon faktin se shkollat e hapura kanë zbatuar të gjitha protokollet e kushteve higjieno-sanitare me qëllim ruajtjen e distancimit fizik dhe mbrojtjen e shëndetit të gjithsecilit.

Për këtë proces dyjavor përsëritjeje që do të zhvillohet deri më 11 shtator dhe do t’i paraprijë fillimit të vitit të ri shkollor, do të angazhohen rreth 2,600 mësues për 600 klasa të kësaj kategorie nxënësish.

z.tosku/j.p/