129 persona janë arrestuar në një javë nga Policia e Shtetit, ndërsa janë realizuar 28 operacione.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar 450 shtetas, nga këta: 129 janë arrestuar, 302 janë proceduar penalisht dhe 19 janë shpallur në kërkim.

Gjatë kësaj jave janë lokalizuar dhe kapur 26 shtetas në kërkim, nga të cilët 23 në kërkim kombëtar dhe 3 në kërkim ndërkombëtar.

Janë finalizuar 28 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale, kryesisht në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe në fushën e narkotikëve.

Janë sekuestruar në total 13 armë zjarri, disa prej tyre të modifikuara dhe me silenciatorë, 4 armë gjahu, 2 thika, 2 mina me telekomandë, kapsolla detonatore, lëndë plasëse “C4”, municion luftarak, blindshpues dhe 2 radio si të Policisë.

Gjithashtu, janë sekuestruar rreth 140 kg kanabis, doza kokaine dhe kanabisi, bimë dhe fidanë narkotikë, mallra të ndryshme të kontrabanduara dhe shuma të konsiderueshme parash të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Dokumentimi, në kuadër të një hetimi proaktiv, i një banese të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave, sekuestrimi i 78.2 kg kanabis, fidanëve e bimëve narkotike dhe i 2 armëve, si dhe arrestimi i 8 autorëve të dyshuar, ishin rezultatet e fazës së gjashtë dhe të shtatë të megaoperacionit policor të koduar “Qarku”, në Shkodër.

 

58.5 kg kanabis dhe municion luftarak u sekuestruan nga Policia, në Krujë, gjatë operacionit “Fokusi”, në një banesë me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, e cila ishte përshtatur për përpunim dhe përgatitje për shitje të kanabisit.

 

Një arsenal armësh i përbërë nga 4 kallashnikovë, 3 pistoleta, silenciatorë, 2 mina me telekomandë, lëndë plasëse dhe municion luftarak, u sekuestrua gjatë operacionit “Prevention”, në Elbasan. U vunë në pranga 2 shtetasit që dyshohet se do t’i përdornin për të kryer vrasje për llogari të grupeve kriminale.

 

Një person që qarkullonte me armë zjarri ndërkohë që ishte në kërkim për mashtrim u vu në pranga nga Policia e Tiranës, gjatë operacionit “Zastava”. U sekuestruan një armë zjarri dhe municion luftarak.

 

Operacioni “Intensive” i zhvilluar nga strukturat e DVP Lezhë çoi në pranga një shtetas që fshihte armë zjarri në banesë dhe 4 shtetas që drejtonin automjetet, nën efektin e drogave/alkoolit.

 

Policia e Tiranës ka finalizuar brenda 24 orëve, 2 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik. 5 punonjës të dy subjekteve call center të paregjistruara nga organet tatimore u vunë në pranga, 2 pronarët u shpallën në kërkim.

 

Gjithashtu, Policia e Tiranës ka finalizuar 2 operacione për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. U sekuestruan dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, u arrestuan 8 shtetas dhe u proceduan penalisht 3 të tjerë.Për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit janë finalizuar 2 operacione, në Tiranë dhe në Vlorë. 2 shtetas që transportonin emigrantë të paligjshëm u vunë në pranga.

 

522 000 euro të padeklaruara dhe mallra të kontrabanduara u sekuestruan gjatë operacionit “Eurot”, që u zhvillua në portin e Durrësit. U vu në pranga drejtuesi i autobusit ku u gjetën shuma e eurove dhe mallrat, si dhe 2 ndihmësit e tij.

 

Në kuadër të operacionit të koduar “Qafë Morinë” u arrestuan 2 shtetas që kaluan në PKK Qafë Morinë, mallra të kontrabanduara. Në pranga ranë edhe doganieri dhe dy punonjës të tjerë të Policisë Kufitare, për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.

 

Për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes u finalizuan 3 operacione, në Tiranë, Durrës dhe në Elbasan. 3 autorët e dyshuar u arrestuan në flagrancë.

 

4 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale u kapën nga strukturat e DVP Durrës, në kuadër të operacionit “Wanted”, ndërsa 1 tjetër u kap nga Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit “The night”.Strukturat e DVP Gjirokastër finalizuan operacionet “Forest” dhe “Transporter 3”, si rezultat i të cilëve u arrestuan 4 shtetas dhe u sekuestruan drogë, shuma të mëdha parash dhe sende të kundërligjshme, që iu gjetën në automjetet dhe banesat e tyre.

 

Janë evidentuar dhe goditur 23 raste të krimeve mjedisore dhe 30 raste në fushën e krimeve ekonomike.

 

Janë evidentuar dhe goditur 39 raste në fushën e narkotikëve, 9 raste në fushën e lojërave të fatit, si dhe janë ndjekur ligjërisht 39 raste të dhunës në familje.

 

Policia Rrugore/Monitorim i pandërprerë i qarkullimit rrugor në të gjitha akset e vendit, nëpërmjet mjeteve inteligjente, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

 

•Si rezultat i monitorimeve, janë pezulluar në total 719 leje drejtimi, nga të cilat: 566 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 113 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 40 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

 

•Përmes përdorimit të alkool-testuesve dhe si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, janë arrestuar 72 drejtues mjetesh, nga këta: 52 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 20 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

 

•Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 12 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 4 raste të drejtimit të automjeteve, nën efektin e lëndëve narkotike.•Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, 2 shtetas për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 shtetas për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”, 1 shtetas për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe 1 shtetas tjetër për “Trafikimi i mjeteve motorike”.

 

Janë evidentuar 4 raste të krimeve kundër personit, nga këto 1 vrasje me mjete shpuese dhe 3 plagosje me armë të ftohta. Si rezultat i reagimit të menjëhershëm nga të gjitha strukturat policore në vend është bërë e mundur zbardhja e ngjarjeve, identifikimi dhe arrestimi i të gjithë autorëve të ngjarjeve të rënda kundër personit.

 

Njëkohësisht vijon puna e thelluar hetimore për grumbullimin e provave, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, kapjen dhe ndalimin e autorëve dhe personave të tjerë të përfshirë.

 

 

 

Top Channel