Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Policia e Shtetit është në një proces jashtëzakonisht të shëndetshëm fuqizimi dhe meriton patjetër të gjithë mirënjohjen për punën e sakrificën shtesë që ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe duke asistuar popullin dhe mbrojtur njerëzit nga armiku i padukshëm”.
I pyetur nëse do të ketë një shpërblim për efektivët e Policisë, ashtu sikurse ai që u vendos për punonjësit në shtëpitë e kujdesit social, Rama tha se “hap pas hapi duhet t’i shikojmë të gjitha gjërat së bashku dhe jo të ndara veç e veç”.
“Personeli që ju iu referuat ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme mbyllur brenda pa dalë së bashku me të moshuarit dhe ne kemi pasur një rezultat të jashtëzakonshëm me shtëpitë e të moshuarve, gjë që nuk ka ndodhur në vende shumë të zhvilluara ku shtëpitë e të moshuarve janë kthyer faktikisht në vatra të nxehta të humbjeve të jetës. Prandaj mendoj se meritonin plotësisht vëmendjen dhe sigurisht bëhet fjalë për një numër të vogël që nuk e disbalancon në të përgjithshmen e vet arkën e shtetit”, tha Rama.
Kryeministri tha se “jam shumë i vetëdijshëm për atë që ka bërë Policia e Shtetit, si për ato që ju keni parë dhe transmetuar si komunitet mediesh por edhe për ato që nuk kanë qenë në vëmendjen dhe syrin e opinionit publik”.
“Është bërë një punë e jashtëzakonshme, ndërkohë ka vazhduar intensivisht puna e OFL-së dhe jemi sot që flasim në kushtet kur kemi 81 praktika të dërguara në SPAK në zbatim të nenit 19 të aktit normativ, 6 në zbatim të nenit 18. Kanë kryer një sërë sekuestrimesh. Po kështu janë në përpunim dhe në proces një numër prej disa qindra praktikash të tjera. 81 janë praktika sekuestro emergjente prej të cilave një numër i konsiderueshëm lidhen me automjetet, pasuritë e paluajtshme dhe me radhë. Ky është vetëm një element, por në tërësinë e vetë edhe po t’i referohemi punës së Policisë për të reaguar në mënyrë imediate ndaj situatave kriminale ka qenë e shkëlqyer”, tha Rama. /j.p/r.e/atsh