”Kjo është përvoja më përulëse e jetës sime dhe vjen në një moment historik për Shqipërinë… si një shtet anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian”, tha Rama i cili ka dhënë premtimin për të arritur anëtarësimin në BE deri në vitin 2030 një nga pikat kryesore të fushatës së tij.
Partia Socialiste duket se ka siguruar një shumicë dërrmuese me rreth 82 vende në parlament, shumë më tepër se 71 të nevojshme për të qeverisur e vetëm në parlamentin me 140 vende të Shqipërisë.
Edhe pse Shqipëria ka një sistem shumëpartiak, pushteti në fakt është alternuar midis dy forcave kryesore – socialistëve dhe Partisë Demokratike të qendrës së djathtë – që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990.
Fakti që demokratët kishin punësuar Chris LaCivitën, që orkestroi rikthimin e Donald Trump në zgjedhjet amerikane të vitit 2024, nuk dukej se e shqetësoi Ramën.
“Të punësosh LaCivitën dhe të mendosh se ai mund të bëhet Trump është si të punësosh një parukier në Hollywood dhe të mendosh se ai mund të bëhet Brad Pitt”, thekson Rama.
Ai kritikoi demokratët për besimin duke thënë se ‘’nuk mund të mendosh se nëse dikush punoi për Trumpin, ai mbart një lloj fuqie magjike të Trumpit… sidoqoftë, ishte një komedi që ia vlente ta shihje”.
Numërimi i votave është ende duke vazhduar dhe rezultatet e plota paraprake priten të martën, por me më shumë se 85% të votave të numëruara, rezultati nuk ka gjasa të ndryshojë ndjeshëm.
Kryeministri shumë i suksesshëm në median sociale, e kaloi pjesën më të madhe të së hënës duke postuar në mënyrë joformale nga Shtëpia e Evropës në Tiranë, ku përgatitjet janë në kulmin e tyre për samitin e Komunitetit Politik Evropian që fillon më vonë këtë javë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, do të udhëtojnë në Shqipëri për edicionin e gjashtë të samitit, një iniciativë e nisur nga presidenti francez, Emmanuel Macron për të bashkuar vendet e BE-së dhe ato jashtë BE-së për bisedime mbi sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.
Në këtë event do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të vendeve të tjera që aspirojnë të anëtarësohen në BE, si Ukraina dhe Gjeorgjia.
“Është një nder i madh të mirëpres në Tiranë të gjithë kontinentin tonë demokratik, përfshirë Ukrainën dhe mikun tim të dashur, Volodymyr Zelensky”, theksoi Rama.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përvojë në procesin e gjatë dhe kompleks të përgatitjes për anëtarësim në BE, me disa që kanë kaluar dekada duke ndryshuar ligjet dhe institucionet publike për të minimizuar ndërprerjet nga blloku pas anëtarësimit.
I pyetur nëse Shqipëria kishte ndonjë këshillë për Ukrainën, një vend tjetër që aspiron anëtarësimin në BE, Rama theksoi ‘’statusin unik të Ukrainës në procesin e pranimit’’.
“Shqipëria nuk pretendon t’i japë mësime Ukrainës. Përkundrazi, ne mund të mësojmë vetëm nga Ukraina, nga çmimi që populli i saj është i gatshëm të paguajë për rrugën e tij drejt Perëndimit dhe Bashkimit Evropian”, theksoi ai.
Rama, një mikpritës i sjellshëm për udhëheqësit perëndimorë dhe kërkon të zbatojë premtimit e tij kryesor të fushatës: të jetë i vetmi person i aftë ta çojë Shqipërinë në prag të anëtarësimit në BE brenda pesë vjetësh.
Ndërkohë, partia kryesore e opozitës, demokratët – të cilët duket se kanë siguruar rreth 52 vende në parlament – fajësuan rezultatin e zgjedhjeve për atë që ata e quajtën kontroll të rrënjosur të Partisë Socialiste mbi institucionet dhe përpjekje të dyshuara për të ndikuar te votuesit.
Duke shpresuar një rikthim politik të ngjashëm me atë të Trump në vitin 2024, Partia Demokratike Shqiptare e qendrës së djathtë angazhoi strategun e fushatës së Trump, LaCivita, për të ndihmuar në hartimin e mesazhit dhe për të udhëhequr fushatën.
Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) tha të hënën se zgjedhjet u zhvilluan në një mënyrë të plotë dhe transparente, por vuri në dukje se qëndrimi i gjatë i Partisë Socialiste në qeveri “krijoi një avantazh të padrejtë në pushtet”.
Por, për Ramën, i cili po shijon fitoren e tij, vetëm një gjë ishte e rëndësishme: ndjenja e votuesve.
“Ata dërguan një mesazh të fuqishëm dhe të thjeshtë, se më në fund duam të arrijmë majën e Bashkimit Evropian dhe këtë mund ta bëjmë vetëm me ju dhe Partinë Socialiste!’’, thekson Rama./ /os/