Politika Shqiptare ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë festën e Pashkëve.

Si asnjëherë më parë, besimtarët festojnë të ndarë, nëpër shtëpitë e tyre për shkak të pandemisë.

Kreu i Shtetit, Ilir Meta apelon që ta përjetojnë brenda familjeve të tyre këtë festë të shenjtë.

Duke apeluar për më shumë solidaritet, Meta thotë se lutjet shkojnë për heronjtë e ditëve tona, mjekët dhe infermierët, e për këdo që është në vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit dhe të sigurisë të çdo qytetari.

Por edhe për priftërinjtë e klerikët që në krye të misionit të tyre hyjnor e fisnik po bëjnë aq shumë për ne të gjithë në këto momente tepër të vështira, veçanërisht për komunitetet më të përvuajtura.

Urimi i Ramës

Ndërsa kryeministri Edi Rama në Facebook shkruan: “Në këtë kohë të çuditshme tempujsh të kyçur, vijnë edhe Pashkët Ortodokse, pa kishat hapur por me Zotin pranë çdo familjeje që sonte feston. GËZUAR PASHKËT”

Urimi i Bashës

Urim ka përcjellë edhe kreu i PD, Lulzim Basha, lutjet e të cilit shkojnë për anëtarët e familjeve të prekura nga koronavirusi.

“Me urimin tradicional “Krishti u ngjall” dhe këtë foto të lepurushëve të Pashkëve përgatitur nga vajzat e mia, ju urojmë familiarisht të gjithë besimtarëve ortodoksë, nga mot Gëzuar!

Sot, urimet dhe lutjet tona të para, janë për të gjithë anëtarët e familjes tonë të madhe që përballen me virusin dhe pasojat e tij, për mjekët dhe infermierët tanë kurajozë e të palodhshëm, për të gjithë ata që shërbejnë me sakrifica të mëdha për të na mbrojtur dhe ndihmuar, për të gjithë shqiptarët në nevojë dhe shtrëngesë, për shërbëtorët e Zotit që me lutjet e tyre sjellin paqe e shpresë në shpirtin e çdokujt. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet e të dashurit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”

Urimi i Kryemadhit

Ndërsa Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi thotë se Masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk duhet të na ndajnë shpirtërisht nga njëri-tjetri.

“Festa e shenjtë e Pashkëve na mëson se sakrifica nuk është humbje dhe se ndriçimi i zemrës përmes besimit na lartëson mbi të keqen dhe antivlerat. Fuqia e shpirtit i jep njeriut forcën për të çarë mes vështirësive dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk duhet të na ndajnë shpirtërisht nga njëri-tjetri dhe nga zakonet tona të mira. Përmes tyre, ne si komb kemi përballuar ndër shekuj vështirësi pas vështirësie, dhe sot është koha që ashtu siç kemi gjetur mënyra të reja për të kremtuar festat tona fetare, ashtu të hapim rrugën për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët. Me besimin në Zot, me dashurinë për njëri-tjetrin, me vlerat dhe traditat tona kombëtare.

Pashkë të mbara për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe gjithë familjet shqiptare. Krishti u ngjall!”

Urim ka përcjellë edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Urimi i Ambasadës Amerikane

Ndërsa ambasada amerikane në Tiranë shkruan: “Nga komuniteti ynë në komunitetet dhe familet tuaja, i urojmë Gëzuar Pashkët të gjithë bashkësisë ortodokse në Shqipëri! Sjelltë kjo ditë e shenjtë gëzim, paqe dhe shpresë në të gjitha familjet tuaja!”

/Ora News.tv/