Nga Hektor Çiftja, Universiteti “A. Xhuvani”, Elbasan
3 reflektime personale mbi librin“Politika si ide” të zonjës Valentina Leskaj
Valentina Leskaj, ish deputete dhe nen kryetare e parlamentit, një personazh I njohur i politikës shqiptare promovoi librin e saj “Politika si Ide”.Ky libër është fryti i ideve të autores, të formuluara e të përpunuara gjatë një jete të gjatë, të mbushur me aksione shoqërore e politike, me studime e reflektime.
Reflektim 1
“Politika si Ide” e Valentina Leskajt: Një dialog për ndërgjegjen demokratike të Shqipërisë
Në një rajon ku memuaristika politike shpesh rrëshqet në vetëjustifikime tendencioze, Politika si Ide e Valentina Leskajt nuk ka sesi të mos shquajë si një meditacion befasues filozofik mbi pushtetin politik, etikën në politike dhe natyrshëm në trajtimin e çështjeve konfuzuese të gruas si qënie politike dhe pjesë e rëndësie të spikatur në jetën publike të trazuar të Shqipërisë së pas-viteve ’90-të. E ndërtuar si një intervistë e gjatë, intime, me kritiken kulturore Alda Bardhyli, kjo vepër nuk shpaloset si traktat ideologjik apo teorik, por si një dialog i menduar në frymën sokratike — një zgjedhje që sjell butësisht në mendje shpirtin e bisedave më të pavdekshme të Platonit.
Një dialog në kuptimin platonik
Leskaj, një deputete me përvojë, ish Nënkryetare e Kuvendit dhe një zë i palodhur i shoqërisë civile, zgjedh një format që qëllimisht ul tonin retorik. Në vend që të predikojë apo të rrëfejë skandale, ajo e fton lexuesin në një bisedë — duke vënë në pikëpyetje supozimet mbi demokracinë, përgjegjësinë politike dhe moralitetin qytetar në një vend që ende përballet me sfidat e papërfunduara të tranzicionit post-komunist.
Metoda e zgjedhur, vërtet, receptohet butësisht, por të bën të kthesh sytë dhe të meditosh, dhe pse jo, të mësosh. Ashtu si Sokrati që e nxirrte urtësinë nga bashkëbiseduesit, pyetjet e Bardhylit sjellin reflektimet e sinqerta të Leskajt mbi gjendjen e politikës shqiptare: një parlament që rrëshqet drejt teatraliteteve populiste, një kulturë debati sipërfaqësor dhe sidomos prirja gërryese balkaninike për ta kthyer rivalin politik në armik. Leskaj këmbëngul, pa pushim, se politika shqiptare dhe jo vetëm, duhet të rimendohet, të ridimensionohet, nga të gjithë individët politikisht aktivë, të rishikohet nga ne si ndjekje hap-pas-hapi e ideve, parimeve, dijenive të cilat shqyrtohen dhe shoshiten me rigorozitet të thellë, sepse janë këto mendime, këto ide, që të shndruara në strategji zhvillimi bëhen bazamenti i shëndoshë mbi të cilin përgjegjësia e politikanit merr dinjitet. Shpërdorimi i kohës ne thjesht mbrojtje e pozicionesh, në rastin më të mirë vonon zhvillimin njerëzor, dhe në rastin më të keq, mbjell ndasi dhe gjuhë urrejtjeje
Fokusi në çështjet gjinore
Një nga fitoret dhe arritjet më pazhurmë të librit është mënyra se si çështjet gjinore ndërthuren natyrshëm në zemër të këtij kriticizmi qytetar. Leskaj i kushton kapitujt hyrës paraardhëseve të neglizhuara të traditës feministe shqiptare — figura si Urani Rumbo, motrat Qiriazi dhe Ollga Plumbi — duke i rikthyer ato në historinë e mendimit dhe veprimit politik shqiptar, histori shpesh i ka fshirë gratë nga faqet e saj. Përvoja e saj personale, si një grua lidere në politikë dhe si një e ve që reflekton mbi një martesë që ka qenë mbështetja e saj peronale dhe njerëzore, i jep rindërtimit të historisë kombëtare një ndjeshmëri prekëse.
E rëndësishme është se Leskaj nuk e idealizon rritjen numerike të përfaqësimit të grave që e ka ngritur Shqipërinë pranë kryesuesve botërorë për pjesëmarrjen e grave në kabinet. Vetëm numrat, paralajmëron ajo, nuk kanë kuptim nëse grave u mungon autoriteti i vërtetë dhe nëse merita flijohet për formalisma. Feminizmi i saj është, pra, njëherësh i gëzueshëm dhe duartrokitës, edhe befasueshmërisht realist.
Parlamenti dhe etika politike
Pjesët më të drejtpërdrejta të librit të Leskajt kanë të bëjnë pikërisht me Parlamentin Shqiptar. Ajo vajton atë që e quan “rënia” e tij — duke denoncuar një kulturë që i jep përparësi spektaklit mbi përmbajtjen dhe një klasë politike që rrallë kultivon seriozitetin moral që pritet nga demokracitë e maturuara. Edhe këtu, këndvështrimi i saj duket “I modës së vjetër, asaj që e ka kaluar testin e kohërave” në kuptimin më fisnik të metaforës: ajo kërkon një kthim te diskutimi, qytetaria dhe ndërtimi i konsensusit — parime që përkojnë me bindjen e Platonit se politika duhet t’i shërbejë virtytit, jo kotësisë.
Një testament qytetar dhe akademik për një demokraci që nuk po arrin të formësohet plotësisht
Politika si Ide nuk është një libër i përsosur. Struktura e saj dialogjike herë-herë devijon; disa pjesë lexohen më tepër si kujtime të ëmbla sesa si kritikë të ashpra. Por kjo është njëkohësisht edhe bukuria e saj. Në një vend ku polemika dominon çdo valë televizive, Leskaj ofron diçka më të rrallë: një testament reflektues mbi idenë se demokracia nuk është vetëm mekanizëm, por një etikë kulturore — një mënyrë mendimi që duhet të bëhet rutinë dhe që duhet ushqyer brez pas brezi.
Për lexuesit ndërkombëtarë që duan të kuptojnë udhëkryqin moral të demokracisë shqiptare, dhe për këdo që e ndjen tensionin universal mes idealeve dhe realitetit politik, zëri i Valentina Leskajt meriton të dëgjohet. Në thelbin e saj të qetë, Politika si Ide na kujton se politika e vërtetë — ashtu siç e dinte Platoni — fillon me një bisedë të ndershme.
—