ATSH/ -Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) që prej vitit 2012 ka punuar mbi ruajtjen dhe rimëkëmbjen e popullatës së kalit të qyqes në Shqipëri.

“Kjo shkabë e mahnitshme, e fundit që ende folezon në vendin tonë, nga 4 që kanë qenë më parë, përveç rreziqeve që i kanosen nga kimikatet bujqësore, produktet mjekësore veterinare, elektrifikimi, përplasja me strukturat e energjisë elektrike apo persekutimi njerëzor, i duhet të përballët edhe me një kërcënim akoma më serioz e të heshtur, siç është helmimi.

Ky fenomen është një nënprodukt i konflikteve midis njeriut dhe jetës së egër, i cili aplikohet gjatë përpjekjeve të barinjve për të helmuar ujqërit, preh e të cilave bie kali i qyqes, si një shpend që ushqehet me kërma”, thekson në një njoftim PPNEA.

“Për këtë arsye, ngritja dhe mirëmbajtja e stacioneve me ushqim plotësues është një aksion i drejtpërdrejtë konservues që ndihmon në uljen e rasteve të këtij kërcënimi domethënës për popullatën e këtij lloji të rrallë në Shqipëri e Ballkan.

Gjatë këtij viti stacionet kanë treguar një efikasitet të lartë. Që prej mesit të muajit mars 2020 organizata jonë filloi të supervizojë e të mirëmbajë stacionet, të cilat nëpërmjet pajisjes me kamera kurth kanë arritur të dokumentojnë vizita të rregullta të kalit të qyqes dhe shpendësh grabitqar”, shton PPNEA

Pas kërkimit e analizimit të pamjeve filmike të gjeneruara në brendësi të stacioneve, duke filluar nga muaji maj deri në qershor, u gjeneruan më tepër se 400 fotografi të prezencës së kalit të qyqes, si individë të vetmuar ashtu edhe çifte.

Surpriza më e bukur nga këto stacione ka qenë filmimi i parë për vitin 2020 i kalit të qyqes në stacionin e Kurveleshit. Individi i rritur u pa duke inspektuar territorin e stacionit dhe duke shijuar ushqimin e lënë për merak nga anëtarët e rrjetit “Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes”.

Stacionet e ndërtuara nga organizata jonë, falë mbështetjes së vazhdueshme nga anëtarët e këtij rrjeti, mirëmbahen dhe furnizohen në mënyrë periodike me ushqim (çdo një muaj / tre javë) në mënyrë që kali i qyqes të mos bjerë preh i ushqimeve të helmuar”, thekson PPNEA.

“Një tjetër surprizë e këndshme ishte vizita e shqiponjës së malit në të dy stacionet tona. Në kuadër të projektit “Jetë e Re për Kalin e Qyqes”, një rrjet stacionesh me ushqim plotësues janë duke operuar në Ballkan, 2 prej tyre të gjendura në Shqipëri, 3 në Bullgari, 4 në Greqi dhe 1 në Maqedoninë e Veriut”, përfundon PPNEA.